Një studente daneze e shkencave politike, e cila u trajnua si një snajpere për të luftuar ISIS-in në Siri, ka thënë se tashmë “ka humbur gjithçka” pasi është cilësuar si terroriste e për më tepër rrezikon të vritet nga ISIS. Joanna Palani, 23vjeçe, la shkollën për t’iu bashkuar luftës kundër xhihadistëve në Siri, duke stërvitur syrin e saj të snajperes me pushkën ruse ndaj terroristëve si objektiv. Tashmë ajo është e detyruar të fshihet dhe rrezikon burgun në vendin e saj adoptues, pasi nuk respektoi vendimin e autoriteteve që e ndalonte nga ikja në Siri për të luftuar. Por gjithashtu ajo është nën kërcënime nga fanatikët që duan ta kapin dhe ta përdorin si skllave seksi ose duke e konvertuar në fenë islame. Në një intervistë ekskluzive për “Daily Mail Online”, ajo shpjegon pse rrezikoi lirinë për të luftuar kundër ISIS në Siri. “Doja që të jepja madje jetën time dhe lirinë time për të ndaluar ISIS të avanconte, kështu çdokush në Evropë do të ishte i sigurt. Kjo ishte zgjedhja ime. Por tashmë edhe vetë vendi im më shikon si terroriste. Më vjen keq që ika sërish pa lejen e autoriteteve të vendit tim për të luftuar në Siri, por e ndjeva se nuk kisha zgjidhje tjetër”. Joanna është shprehur e pakënaqur me trajtimin që po i bëhet në vendin e saj dhe tashmë nuk i beson askujt, pasi është ndierë e ndjekur nga vendi i saj me parime dhe vlera demokratike. Gjithashtu, ajo është në hijen e kërkimeve nga ISIS që ka vendosur 1 milion dollarë shpërblim për kapjen ose vrasjen e saj. Tashmë ajo ndërron vendqëndrim çdo 3 ditë dhe thotë se po vuan financiarisht për këtë dhe se nuk e kupton se si mund të cilësohet si një rrezik për vendin e saj nga autoritetet e mbrojtjes. Joanna u arrestua më 7 dhjetor të vitit të kaluar nga shërbimet e inteligjencës dhe u lirua 3 javë më vonë. Gjatë kohës së qëndrimit në burg, ajo mësoi edhe për kërcënimet që i drejtoheshin nga ISIS, pasi ishte mësuar se ajo ishte vajza e cilësuar “Zonja e vdekjes”, që u kishte vrarë dhjetëra njerëz.