Rrjedha e deritanishe dhe mënyra në të cilën zhvillohet fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishte temë kryesore e takimit të sotëm midis ambasadorit të Bashkimit Evropian në Maqedoni Samuel Zhbogar dhe shefit të shtabit qendror zgjedhor të BDI-së, Bekim Neziri në selinë e BDI-së në Reçicë të Vogël, Tetovë.
“Konkluzion i përbashkët ishte se fushata rrjedh pa probleme dhe në një atmosferë të qetë dhe se kështu duet të vazhdojë me qëllim që më 11 dhjetor të zbatohen zgjedhje të qeta, korrekte dhe demokratike”, deklaroi Neziri, ndërsa ambasadori Zhbogar nuk dha deklaratë për mediat. Takimi, theksoi Neziri, e cila ishte inicuar nga ambasadori Zhbogar zgjati rreth një orë. “Së bashku konkluduam se deri sot nuk ka pasur asnjë problem lidhur me fushatën dhe presim se në atmosferë të qetë do të vazhdojmë me procesin zgjedhor. Nuk presim rritje të ndonjë presioni deri në ditën e zgjedhjeve dhe në këtë mënyrë i mundësojmë çdo qytetari të Republikës së Maqedonisë në mënyrë të qetë, demokratike dhe korrekte të prononcohet më 11 dhjetor për cilin subjekt politik do të votojë dhe në këtë mënyrë jemi një hap më afër strukturave euroatlantike”, tha Neziri. Duke iu përgjigjur pyetjes rreth retorikës që përdoret në fushatë dhe për qëndrimin e ambasadorit Zhbogar, Neziri tha se euroamabasadori konsideron se deri tani janë plotësuar të gjitha kushtet për zgjedhje kredibile, por theksoi se deri më 11 dhjetor ende ka kohë. “Shpresojmë se do të vazhdojmë me këtë frymë të zgjedhjeve paqësore dhe demokratike Në çdo zgjedhje nga pak përforcohet retorika. Kjo ishte edhe referenca nga ana e ambasadorit që më pak të ketë referencë nacionaliste dhe retorikë që në njëfarë mënyre, në mënyrë indirekte ndikon që të kemi zgjedhje që mund të jenë nën një farë presioni, respektivisht që do të mund të eskalojnë”, tha Neziri dhe theksoi se nuk pret që të ketë ndonjë eskalim deri në ditën e zgjedheve.