Shkup, 31 maj – Prokuroria Publike e Shkupit, pas shqyrtimit të provave materiale për ngjarjet e 27 prillit që ndodhën në Parlamentin e Maqedonisë, ka konstatuar se ekziston bashkëveprim i disa të dyshuarve gjatë të gjitha ngjarjeve që ndodhën atë natë, qofshin brenda objektit apo jashtë tij. Duke i’u referuar kumtesës zyrtare të kësaj prokurorie, thuhet se bëhet fjalë pwr rrjedhojë tw ngjarjeve të ndryshme inkriminuese, të cilat paraqesin shkelje ligjore për më shumë vepra penale. Njëkohësisht, nga Prokuroria e Shkupit, kanë theksuar se këto ngjarje nuk mund të hetohen vetëm si delikte të turmës, aq më pak edhe pas publikimit të veprave penale konkrete të kryerësve.”Nga mbledhja e deritanishme e provave materiale ne vlerësojmë se për ngjarjet penale të cilët i hetuam, në këtë fazë në përputhje me dispozitat ligjore, duhet të përfshihet edhe Prokuroria për ndjekjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mendojmë se veprimet e ndërmarra nga personat e përfshirë në këtë ngjarje bien në kompetenca të kësaj prokurorie”, thuhet në komunikatën për shtyp të Prokurorisë së Shkupit. Mes tjerash ato kanë shtuar se shkresat e lëndëve që deri më sot i kanë hetuar, e që lidhem me sulmin dhe dhunën e ushtruar ndaj deputetëve me 27 prill në Parlamentin e Maqedonisë, ia kanë dorëzuar Prokurorisë për ndjekjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar.