Sofje, 7 nëntor – Kandidati i pavarur Rumen Radev, i cili e ka mbështetjen e forcës më të madhe politike në Bullgari, Partia Socialiste Bullgare (BSP), fitoi më tepër vota në zgjedhjet presidenciale, 24.9 për qind. Në vend të dytë është Cecka Caçeva, kandidate e partisë qeveritare Qytetarë për Zhvillim Evropian të Bullgarisë (GERB), e kryeministrit Bojko Borisov dhe kryetarja aktuale e Kuvendit Popullor Bullgar, me 22.3 për qind, treguan rezultatet e para preliminare. Po qe se këto rezultate konfirmohen zyrtarisht, Radev dhe Caqeva do t’i matin forcat në rrethin e dytë të zgjedhjeve më 13 nëntor. “Populli i tha ‘jo’ apatisë dhe votoi për ndryshime”, porosit 53-vjeçari Radev, ish-gjeneral dhe pilot. Borisov më herët deklaroi se nëse Caqeva nuk del e para në rrethin e parë të votimit, do të kërkojë zgjedhje të parakohshme. Për mandat të ri pesëvjeçar për president garuan 21 kandidatë. Fushata parazgjedhore kryesisht ka qenë e përqendruar në të ardhmen e Bashkimit Evropian, raportet me Rusinë dhe kërcënimet nga rritja potenciale e fluksit të emigrantëve nga Turqia fqinje. Votimi në zgjedhjet presidenciale për herë të parë ka qenë i domosdoshëm.