Omer XHAFERI
Shkup, 5 korrik – Këshilli Gjyqësor në seancën e fundit të mbajtur të hënën mbrëma ka vendosur që të gjitha konkurset aktive për zgjedhje të gjykatësve dhe kryetarëve të gjykatave të shfuqizohen, duke paralajmëruar se së shpejti do të hapen konkurse të reja, shkruan gazeta KOHA. Ky vendim i Këshillit Gjyqësor, nënkupton prishjen e konkursit edhe për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Penale të Shkupi(GJPSH), si njërën prej gjykatave më të përfolur në Maqedoni, për të cilën kandidaturat e tyre i kanë parashtruar ish kryetari i kësaj Gjykate, Vlladimir Pançevski dhe gjykatësi Ivan Xholev. Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Zoran Karaxhovski, njëherit e ka vërtetuar lajmin se te gjitha konkurset e shpallur para një janarit të vitit 2017 shfuqizohen për shkak të vjetërsimit të tyre dhe për arsye të procedurës së rregullt të vlerësimit të gjykatësve për vitin 2015 dhe 2016. Procedurat për ndalimin e konkurseve aktuale dhe vlerësimin e punës së gjykatësve pritet të përfundoj më së voni deri ka mesi i korrikut dhe më pas Këshilli Gjyqësor do të shpall konkurs të ri për zgjedhjen e gjykatësve dhe kryetarëve të gjykatave. Për momentin GJPSH-ja drejtohet nga ushtruesi i detyrës kryetari – Stojançe Ribarev, i cili përmes një kumtese publike të martën ka bërë të ditur se në këtë gjykatë është realizuar shpërndarje e re e gjykatësve të cilët ishin të caktuar për procedimin e lëndëve që burojnë nga Ligji i vjetër për procedurë penale. Pjesë e aktiviteteve tjera që janë vendosur në seancën e fundit të GJPSH-së, është se pjesa dërmuese e gjykatësve që punojnë në këtë gjykatë e kanë potencuar nevojën e rritjes së numrit të gjykatësve në sektorin e procedimit të procedurave paraprake për arsye se në periudhën e kaluar një gjykatës ka dalë në pension dhe vendin i kujdestari që e ka mbuluar ai duhet të zëvendësohet.”Gjykatësit nga sektori për ekzekutimin e sanksioneve e theksuan nevojën e rritjes së numrit të gjykatësve të cilët do t’i shqyrtojnë ato lëndë, për arsye se nga fillimi i vitit e deri në muajin qershor rastet e tilla janë shtuar për 20 për qind. Sa i përket gjykatëseve të cilat i shqyrtojnë lëndët për kundërvajtje në komunikacion, ata u shprehën se nuk kanë nevojën për rritje të numrit të gjykatësve, për shkak se nga fillimi i vitit e deri më sot rastet të cilat i procedojnë ata janë ulur për 5 mijë lëndë më pak”, thuhet në kumtesën e GJPSH-së. Përmes kësaj komunikate u.d kryetar i GJPSH-s, Stojançe Ribarev, ka thënë se shpërndarje individuale e gjykatësve është realizuar në pajtim me kërkesat e tyre dhe konform bisedave paraprake që janë realizuar me ata. “Gjatë ndryshimit të shpërndarjes së re të punës i kemi marrë parasysh llojin dhe përmbajtjen e ankesave të cilat gjykatësit paraprakisht i kanë ngritur para Gjykatës Supreme. Në seancën e fundit të cilën e realizuam u formua edhe një trup i ri i punës për udhëheqjen e lëndëve në gjykatë i cili për detyrë do ta ketë analizimin e gjendjes së numri të lëndëve, zgjedhjen dhe ngecjen e tyre. Obligim i këtij trupi të punës do të jetë dhëna e propozimeve për gjendjen aktuale. Çdo lidhshmëri e këtyre ndryshimeve me lëndët e parashtruara nga Prokuroria Speciale Publike, e proklamuar nga media të caktuara, paraqet shprehje të mosnjohurisë me rrjedhën e procedurës penale, e cila në masë të madhe shpie drejtë dezinformimit të opinionit”, thotë u.d kryetari i GJPSH-së, Stojançe Ribarev. Ndryshe, dhjetëra gjykatës të GJPSH-së të indinjuar nga ndërrimet dhe kalkulimet që bëhen me pozitat e tyre kanë paralajmëruar se kundër u.d kryetarit Stojançe Ribarev, do të ngrenë padi penale për shkak se i njëjtit gjatë kësaj periudhë e ka penguar zbatimin e drejtësisë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.