Fisnik PASHOLLI
Shkup, 14 mars – Kreativiteti mesatar i banorëve të një shteti paraqet një nga treguesit kryesor të zhvillimit ekonomik të një vendi, vlerësojnë hulumtuesit e “Martin Prosperity Institut”, shkruan gazeta KOHA. Analiza e tyre e quajtur “Indeksi global i kreativitetit”, i bazuar në tre kategori si talenti, teknologjia dhe toleranca – tregon se banorët e Australisë, SHBA-ve, Zelandës së re, Kanadasë dhe Danimarkës janë njerëzit më kreativ në botë. Matja e kreativitetit si tregues ekonomik i zhvillimit tregon se Maqedonia renditet ndër të fundit në rajon, edhe atë vetëm para Bosnje e Heregovinës dhe Shqipërisë, ndërsa Sllovenia është e para në rajon. Indeksi global i kreativitetit tregon se Maqedonia gjendet në vendin e 74-të në botë, ndërsa nga shtetet e rajonit – më mirë e renditur është Sllovenia në vendin e 16-të, ndërsa në vendet e fundit në botë janë Iraku, Gana, Madagaskari, Xhibuti dhe Mauritania. Ekspertët vlerësojnë se bota ka hyrë në fazën e re të zhvillimit, ndërsa tregu po zhvendoset nga faktorët tradicional të prodhimtarisë drejt kreativitetit dhe diturisë si resurse të pashtershme që mundet në pafundësi të rinovohen dhe plotësohen. Me rritjen e rëndësisë së kreativitetit, sa vjen e më shumë kohë dhe vëmendje i kushtohet edhe definimit dhe vlerësimit të Indeksit Global të Kreativitetit. Deri tani janë vendosur disa mënyra të këtij treguesi të zhvillimit ekonomik, ku më i njohuri është GCI (Indeksi Global i Kreativitetit) që varet prej 3 T-Teknologjisë, talentit dhe tolerancës. Rangu i teknologjisë ka të bëjë me numrin e investimeve dhe hulumtimeve dhe zhvillimin e tyre, si dhe numrin e patentave për kokë banori. Talenti i një shteti përllogaritet si kombinim i më shumë faktorëve si përqindja e njerëzve me arsim të lartë, dhe përqindja e fuqisë punëtore të angazhuar në “industritë kreative”.
Faktori i tretë i indeksit të kreativitetit – toleranca, paraqet sjelljen e shtetit ndaj refugjatëve, pakicave racore dhe etnike dhe popullatës LGBT. Një pjesë e sektorit afarist thotë se biznesi pak i kushton rëndësi burimeve njerëzore dhe zhvillimit të potencialeve të tyre, si shtet pak investojmë në hulumtime, ndërsa edhe inovatorët kanë vështirësi të shumta që të vendosin në përdorim praktik të përditshëm së paku një pjese të shpikjeve të tyre. Nga ana tjetër, sistemi arsimor më shumë angazhohet që nxënësve të dobët tu përmirësojnë notat sesa tu mundësojë nxënësve të shkëlqyeshëm të dëshmohen dhe zhvillojnë potencialin e tyre. “Ekzistojnë më shumë arsye pse Maqedonia dobët qëndron në këtë renditje. Dy shkaqet kryesore pse biznesi nuk ka mundësi të thithë talentin dhe inovacionet janë tregu i vogël që pamundëson zhvillimin e ndonjë inovacioni. E dyta ka të bëjë me atë se edhe sistemi arsimor nuk mbështet dhe përkrah mjaftueshëm, nxënësit apo studentët më të mirë. Gjithashtu, biznesi nuk ka as resurse materiale që të zhvillojnë potencialin e talenteve, ndërsa ballafaqohemi edhe me ikjen e trurit në të gjithë lëmitë ku çdo kush që dallohet në punën e tij qoftë në shkencat teknike apo të tjerat, menjëherë orientohet të shkon jashtë, pra ata pak që vlejnë na ikin jashtë”, thotë eksperti i teknologjisë informatike, Behar HaxhiHamza. Në ndërkohë, analizat tregojnë se nga shtetet e rajonit – Sllovenia në vendin e 16-të, ka indeksin e kreativitetit 0.822. Në vendin e 46-të është Mal i Zi, në vendin e 48-të është Bullgaria, vendin e 54-të e ndajnë Serbia dhe Greqia, ndërsa në vendin e 58-të është Kroacia. Në vendin e 68-të është Rumania, ndërsa Maqedonia është në vendin e 74-të, e pasuar nga Turqia në vendin e 88-të. Nga shtetet e rajonit para Bosnje e Hercegovinës në vendin e 119-të , është Shqipëria në vendin e 116-të. Në ndërkohë, edhe të dhënat për ndarjen e ulët të Maqedonisë në kërkime shkencore tregojnë se pse dobët renditemi në listën botërore të kreativitetit. Maqedonia për hulumtim dhe zhvillim ndan vetëm 0.44 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të shtetit tregojnë të dhënat zyrtare statistikore. Përkundër dyfishimit të kësaj shume prej 0.22 për qind në 2011 në gati 0.5 për qind të PBB-së në 2013 që paraqet një shumë prej afër pesë milionë euro, ajo megjithatë shënon ngecje të madhe në raport të shumës që ndajnë shtetet evropiane dhe paraqet një të pestën e mesatares së BE-së. Sipas të dhënave të fundit të Zyrës evropiane të statistikës – EUROSTAT, në vitin 2013-ën, çdo shtet anëtar i BE-së në mesatare ka harxhuar 2.03 për qind të PBB-së për zhvillim dhe hulumtim.
Ekonomistët thonë se investimet në zhvillim dhe hulumtim sjellin inovacione të ndryshme, përfitime ekonomike, ulin harxhimet, rrisin produktivitetin, zgjerojnë biznesin dhe hapin vende të reje ta punës, andaj çdo shtet nevojitet ti kushtojë një rëndësi afatgjate planifikimit dhe realizimit të tyre në praktikë.
Problemi i investimit të ulët në zhvillime dhe hulumtime është prezent në të gjitha shtetet e rajonit si rrjedhojë e ndarjes së pamjaftueshme së mjeteve për këtë qëllim, rolit të paqartë të politikës industriale në strategjitë e zhvillimit ekonomik, strukturës ekzistuese industriale, shkallës së ulët të zhvillimit në arsim të lartë, lidhjes së e dobët midis teknologjisë dhe shkencës, mungesës së vizionit të lidhen hulumtimet me nevojat e ekonomisë, si dhe kyçjes më të madhe të eksportuesve lidhur me politikat ekonomike dhe reformat institucionale. Shkathtësitë, njohuritë dhe kapitali njerëzor në shekullin e 21-të paraqesin faktorët kryesor për sigurimin e zhvillimit afatgjatë të qëndrueshëm ekonomik, andaj shtetet e rajonit vlerësojnë ekonomistët nevojitet që më shumë kujdes ti kushtojnë strategjisë së zhvillimit sidomos gjatë përgatitjes për çdo vit të mjeteve buxhetore që do të ndahen për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të shtetit me prioritete të qarta për qëllimet që dëshirohen të arrihen në periudhë afatmesme dhe afatgjate.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.