Shkup, 19 shkurt – Deputeti i LSDM-së Muhamed Zeqiri ka theksuar së është sulmuar nga sigurimi i ish-shefit të shërbimit sekret DSK, Sasho Mijallkov. Ndërsa Mijallkov i mohon informacionet e këtilla. Zeqiri për mediat ka deklaruar se derisa ishte me miqtë në një kafene në Qendrën Tregtare të Qytetit ka ardhur një përsona dhe u ka thënë ta lëshojnë menjëherë lokalin se aty ka aheng privat. “Tentova t’i sqarojë se kemi bërë rezervimin e tavolinës, por ai e rrëzoi tavolinën. Më pas filluan duke me shtyrë të më nxjerrin nga lokali dhe pashë që në lokal është edhe Mijallkovi. Një person nxorri legjitimacionin e policisë, ndërsa tjetri më goditi nga prapa. Unë me miqtë u larguam dhe rastin e paraqitëm në polici”, ka deklaruar për portalin Libertas Zeqiri. Ai më pas në profilin e tij në rrjetin social Fejsbuk ka shkruar se dhe pas disa orë qëndrimi në stacionin e policisë Beko, nuk ka arritur të japë deklaratë, sepse polici kujdestar, siç shkruan ai, është frikësuar ta shkruajë deklaratën e tij pasi ka përmendur emrin e Mijallkovit. Por, ish shefi i shërbimit të DSK-së përmes një deklarata të lëshuar nga partia e tij i ka mohuar pretendimet e deputetit të LSDM-së Deklaratën të cilën e ka dhënë Muhamed Zeqiri është gënjeshtër e kulluar dhe shpifje, ndërsa me përgjegjësi mohoj manipulimin se dikush nga sigurimi im e ka sulmuar atë, thuhet në reagimin e VMRO-së. “Nëse në afat sa më të shkurtër nuk kërkon falje, kundër tij dhe kundër mediumeve që shpërndajnë dezinformata të këtilla do të pasojë padi për shpifje”, thuhet në deklaratën me shkrim të VMRO-DPMNE-së. Ndërkaq, nga MPB e kanë konfirmuar denoncimin e rastit. “Në Sektorin për Punë të Brendshme Shkup nga Qendra Urgjente ‘Nëna Tereza’, në orën 1 e 10 minuta, ka ardhur denoncimi se tek ata me lëndime është paraqitur personi me iniciale M.Z, duke thënë se ka pasur sulm fizik në një objekt hotelerik nga ana e një personi të panjohur deri më tani”, kanë thënë nga SPB Shkup, në pyetjen e TV SHENJA, në lidhje me rastin që e ka denoncuar deputeti Muhamed Zekiri gjatë ditës së shtunë. Ata kanë shtuar se po ndërmarrin masa për zbardhjen e plotë të rastit.