Para disa ditësh ishte “El Mundo Derportivo”, gazeta spanjolle, që dha lajmin e fitimit të “Topit të Artë” nga Cristiano Ronaldo. Ajo pretendonte se të premten e kaluar, një grup gazetarësh të “France Football” kanë qenë në Madrid, kanë marrë intervistën ekskluzive në këtë rast, si dhe kanë bërë foto të portugezit me “Ballon D’Or”. Ndërkohë, sot, ka qarkulluar një model i faqes së parë të “France Football”, në të cilën është një foto e Ronaldos me “Topin e Artë” në duar. Kujtojmë se revista e njohur franceze do t’i zbulojë sonte enigmat në këtë drejtim. Mbetet të shihet nëse është faqe e supozuar e “France Football”, që ka qarkulluar në internet, apo montazh. Në të shfaqet Ronaldo duke shtrënguar trofeun, të cilin e ka fituar një numër rekord, pesë herë “Topin e Artë”. “France Football”, që ka themeluar çmimin, do të publikojë një intervistë ekskluzive me fituesin dhe faqja e parë duket se do të konfirmojë superstarin e Real Madrid.