Administratori i ri i Milanit, Marko Fasone, aktualisht ndodhet në Kinë ku po takohet me pronarët e rinj të klubit kuqezi. Në Pekin po hidhen “piketat” e para për rindërtimin e shoqërisë, teksa Fasone dhe grupi aziatik do të diskutojnë për shumë tema. Kalimi i Milanit nga kompania “Fininvest” te pronarët e rinj kinezë është çështje javësh dhe tashmë pritet që gjithçka të marrë fund brenda nëntorit, ndoshta pak ditë pas derbit kundër Interit, më 20 nëntor. Sakaq, e përditshmja italiane “La Repubblica” raporton se ka zbuluar edhe emrat e kompanive që bëjnë pjesë në grupin financiar që ka blerë klubin kuqezi. Sipas gazetës në fjalë, në grup bëjnë pjesë fondi i investimit “Haixia”, grupi i sigurimeve “Ping An Insurance”, instituti i kredisë “China Construction Bank” dhe gjiganti i elektronikës “Tcl Group”. Nëse konfirmohen këta emra, Milani mund të qëndrojë i qetë, sepse bëhet fjalë për kompani shumë të fuqishme, me të ardhura të jashtëzakonshme. Lista e plotë e investitorëve do të bëhet publike në momentin që palët do të firmosin marrëveshjen përfundimtare, teksa momentalisht janë bërë publikë vetëm dy emra: Jonghong Li, që është “arkitekti” i tratativës me Silvio Berluskonin dhe krahu tij i djathtë, Han Li. Më datë 6 shtator, “Fininvest” konfirmoi edhe derdhjen e kaparit prej 100 milionë eurosh nga kompania kineze që shtrëngoi duart me Silvio Berluskonin, në vilën e këtij të fundit, një muaj më parë (saktësisht më 5 gusht). Sa për kuriozitet, pas Han Lisë dhe Jonghong Lisë, fytyra e re drejtuese e Milanit është David Han, një menaxher i arsimuar në universitetin e Bostonit (SHBA) dhe është zgjedhur nga Han Li për të punuar në zyrën e investimeve në Europë, të kolosit kinez “Ëanda Group”. Flitet se ka qenë pikërisht ky i fundit ai që ka “votuar” Marko Fasonen që të zëvendësojë Adriano Galianin në rolin e administratorit.