Podgoricë, 2 gusht – Maqedonia e intensifikon bashkëpunimin me vendet e rajonit dhe pret që të bëhet anëtarja e 30-ta e NATO-s, deklaroi kryeministri Zoran Zaev sot në Podgoricë, ku merr pjesë në Samitin e vendeve të Kartës së Adriatikut me nënkryetarin e SHBA-së, Majk Pens. Zaev në fjalimin e Samitit theksoi se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO paraqet inkurajim, sepse tregon se të gjithë mund të ngriten dhe të kontribuojnë për nevojat kolektive, por edhe për nevojat dhe interesat e qytetarëve të saj. “Presim që Maqedonia të bëhet anëtare e 30-të e NATO-s. Punojmë në mënyrë energjike për bashkëpunim në rajon, hapemi drejt fqinjëve. Dje e kemi nënshkruar marrëveshjes edhe me vendet tjera të rajonit”, theksoi Zaev. Këto hapa që i ka ndërmarrë Qeveria e re e Shkupit, sipas tij, duhet të kontribuojnë për zhvillim të Maqedonisë dhe të rajonit. Zaevi shfaqi shpresë se kjo do ta nxitë dhe përshpejtojë procesin e integrimit të Maqedonisë në BE dhe NATO. Ai paralajmëroi se Maqedonia në të ardhmen në mënyrë më aktive do të kyçet në misionet e NATO-s dhe do ta rrisë buxhetin për mbrojtje. “Jemi të inkurajuar nga optimizmi, besimi dhe mbështetja nga qytetarët tanë, si dhe nga mbështetje e SHBA-së. Ky është motiv i fuqishëm si kryeministër ta justifikoj besimin dhe t’i realizoj pritjet. Kjo që sot me ne është nënkryetari i SHBA-së tregon se Maqedonia dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë partner të besueshëm. Jemi koshientë se rajoni dhe kjo pjesë e botës është pjesë strategjike për sigurinë globale”, tha Zaev. Kryeministri i Maqedonisë, së bashku me kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq, është bashkënikoqir i Samitit të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut me të cilën kryeson Republika e Maqedonisë. Është paraparë që Zaev sot në Podgoricë të ketë takim bilateral me nënpresidentin amerikan Pens. Në Samitin e vendeve nga Karta e Adriatikut marrin pjesë edhe kryeministrat e Shqipërisë, Edi Rama, Kroacisë, Andreja Plenkoviq, Malit të Zi, Dushko Markoviq dhe të Bosnjë e Hercegovinës, Denis Zvizdiq, si dhe të vendeve vëzhguese, Serbisë, me kryeministren Ana Bërnabiq, Kosova me presidentin Hashim Thaçi dhe Sllovenia me kryeministrin Miro Cerar. Në përbërjen e delegacionit të Republikës së Maqedonisë janë edhe zëvendëskryetarja e Qeverisë dhe ministre e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska Jankovska, zëvendëskryetari i Qeverisë, i angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë dhe sistem politik, Hazbi Lika, ministri i Punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov dhe deputeti Stevo Pendarovski.