Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev paradite është takuar me të dërguarin special të Kombeve të Bashkuara në bisedimet mes Maqedonisë dhe Greqisë, Methju Nimic. Në takim është biseduar për mundësitë për lëvizje të bisedimeve mes Maqedonisë dhe Greqisë në lidhje me kontestin që i bllokon integrimet euroatlantike të Republikës së Maqedonisë, kumtoi pres-shërbimi qeveritar.
Ndërmjetësi Nimic i përshëndeti ndryshimet demokratike në Maqedoni, që hapin mundësi për progres të shtetit. Përfaqësuesi special i KB-së, Nimic, e uroi kryeministrin Zaev për politikat e tij të hapura proaktive, me të cilat demonstron qasje në zgjidhjen e problemeve, në interes të qytetarëve të Maqedonisë, por edhe në rajon.
“Unë dhe Qeveria e Maqedonisë jemi të përcaktuar drejt hapave që i zgjidhin problemet e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Për këtë zhvillojmë politika inkluzive dhe kështu do të jetë edhe me zgjidhjen e kësaj çështje, të cilën do ta zhvillojmë kryesisht në mënyrë transparente, ndërsa jo të mbyllur sikur deri më tani, vetëm përmes konsensusit shtetëror, me opozitën, me Parlamentin, me kryetarin e shtetit dhe me qytetarët e Republikës së Maqedonisë”, theksoi kryeministri Zaev.
Në takim bashkarisht është konkluduar se integrimet euroatlantike janë të nevojshme për stabilitetin dhe sigurinë e gjithë Ballkanit Perëndimor, por edhe se kjo do të kontribuojë për zhvillimin e nevojshëm ekonomik të shteteve dhe ngritjen e cilësisë së jetesës së qytetarëve. Është vlerësuar se ekziston klimë pozitive për impuls të ri në zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, përmes hapave për rritje të besimit mes shteteve, që mund të kontribuojë edhe në vazhdimin e procesit të bisedimeve”, thuhet në kumtesën e pres-shërbimit qeveritar.