Qeveria e re e reformatore do të ofroj perspektivë për të gjithë që jetojnë në Maqedoni, ekonomi dhe jetë për çdo qytetar, institucione të fuqishme profesionale, drejtësi si dhe integrim të vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Këto janë disa nga shtyllat e programit të qeverisë së re të elaboruara para deputetëve nga mandatari, Zoran Zaev i cili tha se do të jetë kryeministër i të gjithë qytetarëve dhe se me punën e tij do të bashkoj dhe jo ndajë qytetarët duke u ofruar perspektivë për një jetë më të mirë.
“Jemi të përcaktuar që të ndërtojmë shoqëri stabile dhe të bashkuar e cila do të siguroj stabilitet për shtetin dhe qytetarët e saj. Do të zhvillojmë Maqedoni drejt NATO-së dhe Bashkimit Evropian. NATO dhe BE janë interesa strategjike për Maqedoninë. Obligohemi që në tërësi të zbatojmë reformat urgjente prioritare nga raporti I Pribes, që janë edhe pjesë e Marrëveshjes së Përzhinës. Qëllimi jonë është fillimi sa më i shpejtë i bisedimeve për anëtarësim në BE. Qëllimi jonë anëtarësimi në NATO në afatin sa më të shkurtër të mundshëm” deklaroi Zoran Zaev.
Në ekspozenë para deputetëve Zaev me një fjali ka përmendur edhe nevojën e miratimit të një zgjidhjeje të re ligjore për zgjerimin e përdorimit të gjuhëve të bashkësive etnike ndërsa theksoi edhe nevojën e promovimit të kulturës demokratike në promovimin e të gjithë qytetarëve në politikat kulturore të qeverisë. “Obligohemi se do të mundësojmë përdorim adekuat të gjuhëve të bashkësive, me çka do të mundësojmë që të gjithë qytetarët më lehtë dhe në mënyrë më efikase t’i realizojnë të drejtat e tyre kushtetuese, pa u rrezikuar në asnjë mënyrë gjuha maqedonase”, tha Zoran Zaev.
Veç kësaj, Zaev rëndësi të veçanti i ka kushtuar edhe sundimit të së drejtës, sundimit të shtetit ligjor përmes krijimit të një sistemi gjyqësor të pavarur i cili do të merrej me lëndët e Prokurorisë Speciale. “Qeveria e re obligohet për krijimin e sistemit të ri të pavarur të drejtësisë. Qytetarët meritojnë gjykatë dhe prokurori profesionale, të pavarur, të sinqertë dhe të përgatitur. Për këtë arsye do të ketë rizgjedhje të gjykatëseve, sipas praktikave të njohura evropiane larg duarve të politikanëve. Do të formojmë departament të veçantë në Gjykatën Themelore Shkupi 1, që do të merret me lëndët e Speciales”, u shpreh Zoran Zaev.
Sa i përket përgjimeve, mandatari Zoran Zaev tha se shërbimet e kundërzbulimit duhet të kenë mandat të qartë të caktuar me ligj. Me programin e qeverisë, tha ai do të sigurohen mekanizma për kontroll mbi ndjekjen e komunikimeve. Zaev tha se qeveria e re angazhohet për raporte të mirë me shtetet fqinje, me qëllim ndërtimin e urave të komunikimit për të gjithë qytetarët. Qytetarët tha Zaev janë të lodhur nga izolimi, nga muret ndarëse dhe paragjykimet andaj edhe kanë nevojë për horizonte dhe pikëpamje të reja për jetë për të gjithë. Zaev kërkoi përgjegjësi nga çdo anëtar i qeverisë që me sinqeritet e përkushtim të kryejnë obligimet. Përgjegjësi kërkoi edhe nga opozita dhe qytetarët. Para nesh tha Zaev kemi ditë të mirë, kemi jetë, por edhe rrugë të gjatë.