Qefser ABDYLI
Shkup, 8 shkurt – Ishte një vendim i papritur për banorët nga Hasanbegut, por edhe për vet drejtorin e konviktit “Tome Stefanovski-Seniç” ai i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale(MPPS) përmes të cilit njoftohet se të strehuarit duhet të largohen deri më 10 shkurt. Ky dikaster i ka njoftuar se pas kësaj date nuk do t’i mbuloj shpenzimet për qëndrimin e tyre. Si pasojë e vërshimeve vitin e kaluar në Hasanbeg dhe fshatrat për rreth, 101 banorë u vendosën në këtë konvikt, pasi nuk kishin kushte elementare të kthehen. Dalëngadalë me riparimin e shtëpive dhe krijimin e kushteve, pjesa dërmuese e banorëve është kthyer në shtëpitë e tyre, por një numër i vogël ka mbetur në këtë konvikt, pasi i kanë të shkatërruara shtëpitë. Banorët shprehen të befasuar nga ky vendim, ndërsa shprehen se nuk prisnin një gjë të tillë t’u ndodhte në këtë kohë të ftohtë, pasi siç theksojnë, nuk kanë ku të shkojnë meqë ende nuk i kanë rindërtuar shtëpitë. “Sikur të kemi ku të shkojmë, do të dalë menjëherë pa më thënë ministri, por nuk kam ku të shkojë, shtëpinë ende se kemi rindërtuar”, shprehet një banor. “Unë këtu nuk qëndroj nga dëshira, prej zorit jam këtu. Sikur të na mbajnë edhe një apo dy muaj, sa të ngrohet koha, që të mund të punojmë diçka”, thotë një tjetër banor. “E morëm lajmin që me 10 shkurt të largohemi prej këtu. Ne nuk kemi ku të shkojmë, shtëpinë e kam të rrënuar, të shkatërruar, nuk ka vend aty për të jetuar”, thekson ai.
Si është e mundur të largohen në mes të dimrit?
Drejtori i konviktit “Tome Stefanovski-Seniç”, Lulzim Xhemaili, thotë se vendimi i MPPS është i papranueshëm për të, ndërsa thekson se nuk do ta zbatojë të njëjtin. “Të them të drejtën, jam i habitur me vendimin e kësaj Ministrie. Si është e mundur të largohen në mes të dimrit?! Mendoj se është një vendim i pa matur nga ana e Ministrisë, sepse bie ndesh me misionin e Ministrisë për punë dhe politikë sociale. Cili është qëllimi i tyre nuk kamë njohuri, por mendoj se Ministri duhet ta bëjë rishqyrtimin e këtij vendimi dhe i njëjti të tërhiqet. Një pjesë e banorëve ende s’kanë marrë ndihma nga shteti për renovimin e shtëpive, një pjesë kanë marrë mjete shumë të vogla, me çka as që kanë patur mundësi ta fillojnë procesin për restaurimin apo riparimin e shtëpive. Mu për këtë mendoj se Ministria duhet të jap sqarime për çka është sjellë ky vendim”, thotë Xhemaili, ndërsa thekson se pret një shkresë zyrtare nga ana e Ministrisë. “Unë pres një shkrim zyrtar prej ministrisë dhe jam i bindur se ata duhet të lëshojnë një shkrim zyrtarë, sepse për t’u marrë një vendim, komisioni duhet të dalë në teren, të bëjë verifikimin e shtëpive të gjithë atyre që janë të strehuar këtu. Nëse janë të rregulluara dhe plotësohen kushtet për t’u kthyer, atëherë çdo familje mund të kthehet nëpër shtëpitë e tyre, por nëse nuk ka komision dhe nuk ka kushte ku të kthehen, parashtrohet pyetja, në mes të dimrit ku me u kthyer këta njerëz. Drejtpërsëdrejti shtrohet pyetja se a duhet të ekzistojë kjo ministri që merr vendime të tilla, sepse vet misioni i tyre është që t’i del në ndihmë popullatës e cila pëson nga vërshimet dhe fatkeqësitë tjera natyrore”, thekson drejtori Xhemaili. Ai thotë se do ta çojë deri në fund misionin e tij, ndërsa apelon deri tek të gjithë ata që nuk kanë ku të qëndrojnë, të drejtohen më konviktit të cilin ai e drejton. “Si drejtor i konviktit kam apeluar çdoherë dhe përsëri u bëj apel të gjithë atyre që nuk kanë ku të qëndrojnë, se mund të vijnë te konvikti, dyert tona janë gjithmonë të hapura për ata që janë në nevojë. Ne jemi këtu si një familje dhe si drejtor nuk ka mundësi që të marr një vendim që të njëjtit ta lëshojnë konviktin. Nuk do ta tolerojë që një vendim i pa qëlluar, apo qesharak, të na e çojë mundin kot tash e disa muaj sa kemi kontribuar dhe në fund të dështojë”, thotë Xhemaili. Nëse Ministria nuk ka mjete për zgjidhjen e problemit e di që ka një popullatë shumë zemërgjerë jashtë, që nuk do të më lë vetëm në këtë rrugë, ndërsa unë nuk do marr vendim që të njëjtit ta lëshojnë këtë konvikt, shton Xhemaili. Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale kanë qenë të pakapshëm për të komentuar vendimin për largimin e të strehuarve nga rajonet e vërshuara prej konviktit “Tome Stefanovki – Seniç”.
“S’ka largim derisa të krijohen kushtet”
“Nuk vjen në shprehje, po as nuk më shkon ndër mend që në këtë kohë banorët të largohen nga këtu, në këtë kohë të ftohtë, së paku deri sa të piqen kushtet, deri sa të rregullohet koha dhe të krijohen kushtet. Ky ka qenë misioni ynë prej në fillim kur i kemi pranuar ata banorë këtu dhe gjithmonë ka qenë të krijohen kushte dhe të kthehen në shtëpitë e tyre në mënyrë njerëzore. Mundin tonë nuk do e përmbysi, sepse vërtetë kemi dhënë maksimumin, dhe në fund të sillet një vendim që nuk ia vlen as të diskutohet, është një vendim shumë katastrofal. Bëj apel deri tek Komuna e Gazi Babës që të ndjek procedurat ligjore, të dalin në teren, familje për familje të vizitohen nëpër shtëpitë e tyre, të shohin se a ka mundësi apo jo për t’u kthyer dhe mandej të sillen vendime për të gjithë ata që janë të strehuar këtu”, thotë mes tjerash drejtori i konviktit “Tome Stefanovski – Seniç”, Lulzim Xhemaili, duke komentuar vendimin e Ministrisë së punës dhe politikës sociale për largimin e banorëve të strehuar nga vërshimet e vitit të kaluar.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.