Arsene Wenger nuk ka dëshiruar të tregojë vendimin për të ardhmen e tij, por ka insistuar se është i përqendruar plotësisht që Arsenalin ta shpie në rrugën e duhur. Francezi, i cili do t’i skadojë kontrata në fund të këtij sezoni, ka shtuar edhe më tej spekulimet për të ardhmen e tij duke bërë të ditur se ende nuk ka marrë vendimin. Arsenali ka fituar vetëm tri ndeshje që prej fundit të janarit dhe tani gjendet në pozitën e gjashtë me 19 pikë prapa liderit Chelsea, por Wenger ka insistuar se nuk ka rëndësi vendimi i tij, aq sa ka rëndësi përfundimi i sezonit në pozitë të mirë. “Lajmi im është që nuk kam lajme për ju dhe se nuk ka rëndësi sa gjatë do të qëndroj, por për aq kohë unë do të jem i angazhuar dhe i përqendruar plotësisht”, ka thënë Wenger për beIN Sports.
“Nuk ka rëndësi sa gjatë do të qëndroj sepse aq sa do të jem këtu unë jam plotësisht i fokusuar për të arritur suksese me klubin. Po kalojmë në periudhë të vështirë të rezultateve, prandaj mendoj se më e rëndësishme është përqendrimi dhe të rikthehemi rezultateve pozitive”. “Puna ime është që 100 për qind t’i bëj njerëzit të lumtur dhe mendoj se nëse e shikoni pozitën e klubit ku ishte kur erdha unë dhe ku është sot. Jam shumë krenar me atë që kam bërë për klubin”, ka thënë veç të tjerash Wenger.