Tetovë, 21 qershor – Vullnet Ameti është rizgjedhur rektor i Universitetit të Tetovës edhe për katër vitet e ardhshme. Lajmi është bërë i ditur nga ana e Ejup Ajdinit, kryetar i Komisionit Zgjedhor për zgjedhjen e Rektorit të Universitetit të Tetovës, shkruan gazeta KOHA.
“Këshilli i Rektoratit në mbledhjen e mbajtur të martën, solli vendim për përcaktimin e dy kandidatëve për zgjedhje të rektorit të Universitetit të Tetovës, edhe atë doktor Vullnet Ameti, profesor i rregullt dhe doktor Alifeta Selimi, profesor i rregullt. Procedurën për zgjedhje të kandidatëve e zbatoi Komision Zgjedhor, i zgjedhur nga Këshilli i Rektoratit.
Senati i Universitetit të Tetovës, në bazë të propozimit të Këshillit të Rektoratit, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, në të cilën morën pjesë më shumë se 2/3 e anëtarëve të Senatit, me ç’rast ishin të plotësuara kushtet themelore ligjore dhe statutare, vazhdoi me procedurën e zgjedhjes së Rektorit të Universitetit të Tetovës. Procedurën për zgjedhjen e rektorit e zbatoi Komisioni Zgjedhor i zgjedhur nga Senati i Universitetit në përbërje: profesor doktor Ejup Ajdini, kryetar, profesor doktor Naser Ademi – anëtar dhe Nora Adili, anëtare, gjegjësisht studente. Pas votimit të fshehtë, Komisioni Zgjedhor konstatoi se kandidati Vullnet Ameti, profesor i rregullt, ka marrë gjithsej 22 vota, ndërsa kandidati Alifeta Selimi, profesor i rregullt, ka marrë gjithsej 3 vota”, tha Ejup Ajdini, kryetar i komisionit. Në ndërkohë, rektori i porsazgjedhur, Vullnet Ameti falënderoi të gjithë për besimin e dhënë dhe premtoi se do të punojë me përkushtim në këtë detyrë.
“Besimi i dhënë nga ana e profesorëve, studentëve, Këshillit të Rektoratit, Senatit të Universitetit të Tetovës dhe mbarë komunitet akademik më impenjon mua edhe më shumë, që t’i përvesh mëngët dhe, së bashku me bashkëpunëtorët e mi të afërt, të vihem në shërbim të komunitetit akademik, studentëve dhe profesorëve si dhe mbarë shoqërisë, por edhe të shënojmë hapa të rëndësishëm në konsolidimin sa më të mirë të Universitetit, në krijimin e kushteve infrastrukturore, avancimin e procesit të mësimdhënies dhe krijimit të një ambienti të hulumtimit shkencor, që do të shpie në avancimin edhe të politikave shtetërore, kulturës, qytetërimit, kohezionit ndëretnik, tregut të punës dhe mirëqenies qytetare”, tha Vullnet Ameti, rektor i sapozgjedhur i Universitetit të Tetovës.
Ai më tej tha se do të punojë për të mirën e universitetit. “Me këtë rast, dua t’i falënderoj të gjitha këshillat mësimor-shkencorë të njësive akademike të Universitetit të Tetovës, të cilët pa hezitim e mbështetën kandidaturën time, Parlamentin studentor, Këshillin e Rektoratit dhe Senatin e Universitetit të Tetovës, të cilët me votën e tyre njëzëri ma besuan postin e rektorit, duke ua dhënë fuqimisht fjalën, se unë, Vullnet Ameti, do ta materializoj votën e tyre për të mirën e Universitetit të Tetovës, gjeneratave të reja dhe mbarë popullatës së këtyre trevave”, deklaroi rektori Ameti.
Përndryshe, në vitin 2012, Vullnet Ameti u zgjodh ushtrues detyre rektor i Universitetit të Tetovës, pasi që rektori i mëhershëm Agron Reka kishte ndërruar jetë, ndërsa në vitin 2013 Vullnet Ameti u zgjodh rektor i Universitetit të Tetovës. (koha.mk)