Aleksandar Vuçiç, e di mirë se çfarë është strategjia. Njeri që di çdo lëvizje, është 47-vjeçari që dikur ishte kampion i kryeqytetit serb si pionier në shah. “Kur kam qenë i ri në ushtri kërkoja kundërshtarë për të lozur shah dhe nuk gjeja rivale të denjë, ndaj luaja me shqiptarët sepse ata kanë qenë lojtarë të mirë”, tha Vuçiç. Nga Fakulteti i Drejtësisë, ka qenë për vite të tëra si i ri sekretar i Partisë Radikale të Serbisë. Vuçiç arriti të bëhej ministër për informim dhe mediat ia kujtojnë shpesh kohën e bombardimeve, kur thuhet se censuronte shtypin. Vuçiç braktisi ish-shefin radikal, Vojisllav Sheshel dhe krijoi Partinë Përparimtare të Serbisë. Pushteti erdhi më vonë dhe Vuçiç fillimisht ishte ministër i mbrojtjes. Zgjedhjet e radhës i dhanë kryeministrinë dhe krijoi lidhje me kancelaren gjermane Angela Merkel. Lidhjet ishin të forta edhe me Rusinë dhe përkundër sanksioneve të Bashkimit Evropian, Vuçiç e refuzoi një gjë të tillë. Ka pritur e takuar udhëheqës shtetesh të ndryshme, ka bërë hapa që në Serbi dukej se nuk kishte lëvizje dhe në Kosovën ka ngritur marrëdhëniet, por duket se hendeku është i madh. Sinjale tensionuese kanë qenë marrëdhëniet e Beogradit me Zagrebin e Sarajevën. Lëvizjet e tij në një transformim total, i sigurojnë Vuçiç 5 vjet në presidencë. Shihet si person i vështirë, por që insiston se ka ndryshuar. E krahasojnë shpesh me Zoran Gjingjiç, kryeministrin e dikurshëm dhe me Titon për shkak të politikës së tij të balancuar me të gjithë. Nga shahu e deri tek presidenca. (TCH)