Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, urdhëroi ushtrinë që të shkatërrojë degën filipinaseve të organizatës terroriste DEASH, e cila kontrollon qytetin Marawi, në të cilën konfliktet kanë hyrë në javën e pestë. Terroristët e grupit Maute si mburojë njerëzore po përdorin një numër të madh të civilëve të cilët po mbahen në qendër të qytetit, kurse President Duterte u ka thënë ushtarëve që të mos brengosen për civilët dhe jetën e tyre në luftën kundër terroristëve, sepse, siç tha, këta civilë janë vetë përgjegjës, pse nuk kanë ikur nga qyteti ose nuk kanë gjetur strehim të sigurt. Ushtarëve u është premtuar se nuk do të shkojë në burg nëse pësojnë civilët. “Vetëm vazhdoni të mbani fort armët. Do të na kritikojnë, por edhe nëse do të ketë viktima civile, kjo nuk do të jetë e qëllimshme. Mos hezitoni të vrisni armikun për shkak se aty ka dhe civilë. Përgjegjësia është e civilëve ata është dashur të ikin ose të gjejnë strehim. Lufta është luftë, dhe më vjen keq për këtë”, tha Duterte duke iu drejtuar ushtarëve dhe kombit përmes televizionit shtetëror. Presidenti i diskutueshëm filipinas Duterte gjithashtu tha se armiqtë, terroristët duhet të “vriten në mënyrë të drejtë” me plumba dhe jo duke i varur ose masakruar. Në fund të majit, pjesëtarët e grupit terrorist Maute me mbështetjen e grupit Abu Sayyaf morën qytetin Marawi, pas së cilës presidenti Duterte shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Mindanao dhe urdhëroi operacionin për çlirimin e qytetit, në të cilën kanë mbetur të bllokuar të paktën edhe 500 civilë, ndërsa janë larguar 246,000 njerëz. Sipas ushtrisë së Filipineve, në përleshjet e deritanishme janë vrarë të paktën 27 civilë, 299 terroristë dhe 71 pjesëtarë të forcave të sigurisë së Filipineve, por bilanci i saktë do të dihet vetëm pas çlirimit të qytetit.