Të nominuarit për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës, sot shfrytëzuan të drejtën e votës në Prishtinë. Kandidati për kryeministër i koalicionit Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa, Avdullah Hoti, votoi në qendrën e votimit të vendosur në Fakultetin Filologjik.
Pas votimit në një deklaratë për media Hoti shprehu rëndësinë e këtyre zgjedhjeve dhe ftoi vëzhguesit, komisionerët, organet e vendit dhe të gjithë ata që janë të përfshirë në organizimin ose mbikëqyrjen e këtyre zgjedhjeve që të kryejnë punën e tyre sipas ligjit. “Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. Unë ftoj të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë proces zgjedhor që t’i respektojnë rregullat. Ftoj qytetarët të votojnë sepse kjo është një e drejtë kushtetuese për të vendosur për të ardhmen e tyre dhe të familjeve të tyre”, tha Hoti.
I nominuari për kryeministër nga Koalicioni PDK-NISMA-AAK, Ramush Haradinaj, sot shfrytëzoi të drejtën e votimit në Shkollën e Mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë.
“Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës të votojnë. Vota ka rëndësi dhe ky vendim i sotëm e ka peshën e vet katër vite. Ta shfrytëzojnë të drejtën, të votojnë të gjithë”, u shpreh Haradinaj, pasi votoi. Haradinaj duke përsëritur thirrjen që qytetarët të dalin në votime masivisht, theksoi se Kosovën e presin shumë punë dhe sot qytetari vendos për të ardhmen e vendit.
Ndërsa kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti, pasi votoi në Fakultetin Ekonomik-Juridik, deklaroi se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për Republikën e Kosovës.
“Në këto zgjedhje do të dal legjislatura e gjashtë dhe qeveria e re e Kosovës. Duket që dalja e qytetarëve do të jetë masive. Moti është i përkryer, nuk ka as shi për të ndenjur në shtëpi e as vapë për të ikur jashtë vendbanimeve ku njerëzit jetojnë. Kështu që, të gjithë qytetarëve urime festa e demokracisë”, tha Kurti.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë marrin pjesë 26 subjekte politike: 19 parti politike, pesë koalicione dhe dy nisma me gjithsej 971 kandidatë. Secili qytetar me të drejtë vote mund të votojë një subjekt politik dhe 5 kandidatë të tij.