Gostivar, 9 shkurt – Këshilli i Komunës së Gostivarit mbajti seancën e 35-të me radhë, ku u miratuan të gjitha pikat e rendit të ditës, shkruan gazeta KOHA. Edhe pse pritej që këshilltarët nga radhët e VMRO-DPMNE-së të mos votojnë, pas deklaratave të kryetarit të Komunës, Nevzat Bejta, për të mos bërë koalicion qeveritar me partinë e tyre, ato mbështeten të gjitha pikat e rendit të ditës, ndërkohë që votuan edhe këshilltarët e LSDM-së. Fillimisht, këshilltarët me shumicë votash verifikuan mandatin e këshilltarit Spiro Aksoski, i cili zëvendëson Bllagojçe Trpevskin i zgjedhur deputet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit 2016. Këshilltarët duhej të verifikonin edha mandatin e dy këshilltarëve të tjerë, Dashurije Useini dhe Magdalena Petrushevska, por për shkak se nuk ishin të pranishme në punimet e Këshillit Komunal, e njëjta do të bëhet në seancat vijuese. Dashurije Useini dhe Magdalena Petrushevska zëvendësojnë këshilltarët paraprak, Vesel Memedi nga RDK dhe Dafina Jovanovska-Stojanovska nga VMRIO-DPMNE, të zgjedhur po ashtu deputet në zgjedhjet e 11 dhjetorit. Në rend dite ishte vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për shkollat e mesme komunale dhe disa shkolla fillore të Komunës së Gostivarit, me vlerë të përgjithshme prej 8.555.372 denarë. Sa i përket ndarjes së mjeteve financiare nga buxheti i Komunës së Gostivarit, me 18 vota Për, këshilltarët miratuan dhe vendimet për ndarjen e mjeteve financiare Klubit të Futbollit “Gostivari”, si dhe Klubit të Basketbollit “Gostivar 2015”. Pikë tjetër e rendit të ditës ishte edhe vendimi për donim të pajisjeve harduerike kompjuterike, edhe atë katër (4) kompjuterë konfiguracione (PC desktop, monitor, tastierë dhe mi kompjuterik) për Stacionin Policor të Gostivarit. Në këtë drejtim u miratua vendim për çregjistrim të pajisjeve dhe inventarit të imët .Me 18 vota u miratua edhe vendimi për vërtetimin e kritereve për shpërndarjen e bllok dotacioneve për arsimin fillor dhe të mesëm për vitin kalendarik 2017, si dhe konkluzionin për dhënie pëlqim vendimit të Këshillit Drejtues të Ndërmarrjes Publike “Parkingu i Qytetit dhe Gjelbërimi”, për sjelljen e Planit vjetor për punësime për vitin 2017, si dhe për caktimin e vlerës së pikës për të punësuarit në këtë ndërmarrje. Këshilltarët miratuan edhe Programin vjetore për punën e Këshillit të komunës së Gostivarit, si dhe Programin për aktivitetet e Këshillit Rinor të Komunës së Gostivarit për vitin vijues. (D.Z)