Laura PAPRANIKU
Shkup, 15 maj – Vonesat në paraqitjen e fëmijëve për ti regjistruar në klasë të parë, çdo herë u shkakton shkollave probleme të shumta sa i takon fillimit të vitit shkollor, në muajin shtator, shkruan gazeta KOHA. Megjithëse viteve të fundit vërehet një ndërgjegjësim më i madh i prindërve për të mos lënë regjistrimin në “minutën e fundit”, prapë se prapë një pjesë e konsiderueshme e prindërve presin që ti regjistrojnë fëmijët muajve të verës. Kjo vështirëson punën e shkollave, respektivisht përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. Gjithçka, sikurse tregojnë drejtorët, lidhet me mos(respektimin) e afateve kohore për dorëzimin e kërkesave dhe parashtrimin eventualisht të ankesave nga ana e tyre. Kështu, dy vite më parë, shkolla fillore “Imri Elezi” e Komunës së Çairit, mezi arrit të sigurojë pëlqim nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) për fillimin me punë të paraleles së katërt të klasës së parë këtë shkollë, ndërsa shkolla është e detyruar ti pranojë të gjithë nxënësit që paraqiten të regjistrohen aty. “Pëlqimi për paralelen e katërt të klasës së parë na erdhi nga ana e MASH-it në datën 16 tetor, ndërsa mësimi kishte nis në fillim të muajit shtatorit”, tregon për KOHA, drejtoresha Merita Koxhaxhiku, dukë nënvizuar si shumë të rëndësishme paraqitjen dhe regjistrimin e nxënësve të klasës së parë, në muajin maj – pra brenda afatit të caktuara për këtë çështje ligjore. “Për ne si shkollë, është shumë e rëndësishme që deri në fund të majit të kemi listën me nxënësit e klasës së parë. Sepse, afati i rregullt për dorëzimin e kërkesave për paralele të reja në Ministri është në majin qershor”, sqaron Koxhaxhiku. Në rajonin ku edhe graviton SHF “Imri Elezi”, ajo thotë se ka numër nxënësish për katër-pesë paralele të klasës së parë, mirëpo sipas planifikimeve paraprake që janë bërë për këtë shkollë, caktohet të formohen vetëm tre paralele. “Nëse deri në fund të majit do të kemi të paraqitur më tepër se 112 nxënës, ne si shkollë mund të bëjmë lirisht kërkesën për lejimin e paraleleve shtesë, me shpjegimin se deri në muajin shtator pritet të regjistrohen edhe nxënës të tjerë. Që MASH të mundësojë formimin e këtyre paraleleve, duhet që paraprakisht të sigurojë leje nga Ministria e Financave për financimin e vendeve të punës të mësimdhënësve që duhet të angazhohen në ato paralele”, shpjegon drejtoresha. Në këtë mënyrë, sipas saj, është shumë më lehtë të vihet deri të marrja e lejes dhe pëlqimit për hapjen e paraleleve shtesë, sepse arsimi fillor është i obligueshëm, ndërsa shkollat janë të detyruara të regjistrojnë të gjithë nxënësit, që sipas rajonalizimit – duhet të mësojnë në një shkollë të caktuar. Nëse kërkesat bëhen me kohë dhe nëse ka nxënës të mjaftueshëm, si Ministria e Arsimit ashtu edhe ajo Ministria e Financave, janë të detyruara të japin pëlqim për formimin e paraleles së re, respektivisht të lejojnë financimin e saj. Probleme të kësaj natyre kanë thuajse të gjitha shkollat fillore të Komunës së Çairit, pasi jehona e regjistrimit të nxënësve në klasë të parë që në afatin e rregullt të regjistrimit – nga data 1 deri 31 maj, është relativisht e dobët. Ky problem nuk është kapërcyer sa duhet as në shkollat fillore të Komunës së Butelit. Këtu, viteve të fundit vërehet rritje permanente e numrit të nxënësve në paralelet me mësim në gjuhën shqipe. Por që të rritet numri i paraleleve, është i nevojshëm edhe bashkëveprimi i prindërve. Salajdin Hamidi, ndihmësdrejtor në shkollën fillore “Panajot Ginovski”, thotë për gazetën KOHA se “ekziston dallim mes prindërve shqiptarë dhe maqedonas kur është në pyetje koha e regjistrimit të fëmijë të tyre në shkollë”. Të parët, plotëson më tej ai, kanë tendencën që ti regjistrojnë fëmijët më vonë në shkollë, kurse maqedonasit kanë më tepër interesim në fillim të afateve. Këtu, tradicionalisht formohen nga dy paralele në gjuhën shqipe dhe dy në gjuhën maqedonase. Numri i shqiptarëve është vazhdimisht më i madh krahasuar me numrin e maqedonasve, Por nëse do të paraqiteshin deri më 31 maj më shumë se 50 nxënës, atëherë shkolla do të drejtohet në MASH me kërkesë për shtimin e paraleleve. Dorëzimi i kërkesës përkatëse në muajin qershor do të rrit gjasat për miratimin e saj dhe në të njëjtën kohë pakëson rrezikun e paraleleve të ngarkuara me shumë nxënës në një klasë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara