VMRO-DPMNE-ja në kumtesën e sotme thekson se në periudhën e kaluar kanë realizuar një sërë projekte të cilët i kanë premtuar para qytetarëve, ndërsa qëllimi i vetëm i LSDM-së është asgjësimi i shtetit dhe minimi i sistemit kushtetues. Në kumtesë thuhet se sot solemnisht do të hapet objekti i ri i Filarmonisë së Maqedonisë, është nënshkruar marrëveshje për Qendër të re klinike dhe se në vijim është ndërtimi i autostradave Demir Kapi – Smokvicë, Milladinoc – Shtip dhe Kërçovë – Ohër dhe rikonstruksioni i aksit Veles – Shtip dhe autostrada Shkup – Kumanovë.
Nga VMRO-DPMNE-ja përkujtojnë se këtyre ditëve ka filluar edhe pagesa e subvencioneve bujqësore dhe se në 10 vitet e kaluara është ndihmuar bujqësia me mbi një miliardë euro subvencione. “VMRO-DPMNE-ja edhe më tej do të qëndrojë në funksion të qytetarëve, duke iu mbrojtur interesat e tyre kombëtare, qytetare dhe lokale. Dallimet midis punës së përkushtuar të VMRO-DPMNE-së dhe veprimit anti-shtetëror të LSDM-së janë diametrale dhe evidente. Për këtë arsye LSDM-ja dhe Zoran Zaevi në zgjedhjet e ardhshme do të përjetojnë disfatë katastrofike”, thuhet në kumtesë.