Driton ZENKU
Gostivar, 28 mars – Gati çdo vit, në ditën ndërkombëtare të Teatrit, 27 marsin, artistët e artit skenik të Gostivarit ngritin zërin për mungesën e një teatri profesional në qytetin e Gostivarit, shkruan gazeta KOHA. Drejtuesit e Shoqatës “Fishta”, e cila aktualisht mbush zbrazëtirën e një teatri në qytetin e Gostivarit, thonë se kushtet tashmë janë pjekur që qyteti i Gostivarit të posedon teatrin e vet. Madje, thonë se nevojat për një tetarët tashmë është një iniciativë e vonuar. Argjend Hasani, një nga drejtuesit e Shoqatës “Fishta”, shprehet se shumica e aktorëve gostivaras në mungesë të teatrit në qytet, janë angazhuar në teatro të qyteteve të tjera.
“Sigurisht se mungesa ndihet shumë dhe normal që Gostivari ka nevojë për një teatër. Për fat te keq ne këtë institucion nuk e posedojmë, edhe pse një pjese e madhe e kuadrove tona aktualisht veprojnë në teatro tjera në Maqedoni. Uroj që ky apel të mos has në vesh të shurdhra. Shpresoj se një ditë më mirë vonë se kurrë, Gostivari të ketë teatrin profesional”, thotë për KOHA, Hasani. Sa i përket kuadrit profesional për hapjen e teatrit, Hasani thotë se kuadri ekziston dhe është i mjaftueshëm. “Në qoftë se ky institucion do të themelohej, besoj se shumica e aktorëve tanë do të ktheheshin në qytetin e lindjes për të dhënë kontributin në qytetin e tyre. Normal se nëse do të kishim mungesë të aktorëve, mund të huazoheshin nga qytetet e tjera, ashtu siç ndodh me teatrot në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë”, vijon Hasani. Duke marrë motiv nga shfaqet e fundit të paraqitura në Qendrën për Kulturë në Gostivar, Hasani thotë se mungesa e teatrit vërehet edhe tek spektatorët. Shfaqet e fundit, kanë stërmbushur sallën me spektatorë të shumtë. “Shpeshherë e kam potencuar publikisht se qyteti jonë në aspektin e spektatorit është i përgatitur për këtë institucion. Problemi qëndron diku tjetër. Në këto rrethana duhet shikuar edhe asketi politik. Duhet të iniciohen hapa më detale për të shkuar deri tek themelimi i Teatrit. Spektatorët janë gati dhe janë madje edhe të etshëm për teatër. Kur e them këtë, kemi para sysh faktin se kur kemi pasur premiera të ndryshme në qytetin e Gostivarit, por edhe kur kemi huazuar teatro nga jashtë, spektatori nuk na ka munguar, përkundrazi na ka pritur me një ngrohtësi mjaftë të madhe”, vijon Hasani. Qyteti i Gostivarit asnjëherë në historinë e vete nuk ka poseduar një teatër. Qyteti i Gostivarit është ndër qytetet e rralla në Maqedoni ku mungojnë institucionet primare të kulturës siç është muzeu, teatri dhe galeria profesionale. Asnjërën nga këto, Gostivari nuk i ka pasur asnjëherë në historinë e vete, edhe përskaj nevojave gjithnjë e në rritje për një gjë të tillë. Institucione me karakter shtetëror që funksionojnë në Gostivar janë vetëm dy, Qendra për Konservim si dhe Qendra për Kulturë, në kuadër të së cilës funksionin edhe biblioteka e qytetit. Nga kinemaja e vjetër e qytetit tashmë nuk ka ngelur asgjë, pos nostalgjisë së gjeneratave të vjetra mbi ekzistencën e dikurshme të saj. Është hapur në vitin 1930 për tu mbyllur dhe për të mos u hapur më në vitin 1993. “Mungesa e institucioneve të kësaj natyre, siç janë teatri apo muzeu, është evidente, aq më tepër kur kihet para sysh roli që kanë këto institucione në zhvillimin e jetës kulturore në shoqëri, veçmas roli i tyre tek rinia. Sidomos muzeu paraqet një botë në vete. Të sistematizuara në një vend, prezantohen pasuritë materiale të kulturës, traditës, historisë dhe dokeve të një populli. Në planet tona afatgjate kemi paraparë ndërtimin e një muzeu që do të funksiononte në suaza të Qendrës për Konservim. Aktualisht, kushtet nuk na mundësojnë një hap të tillë, por me kalimin e kohës jemi optimist se do të arrijmë ta realizojmë”, theksoi Adnan Fejzullahu, drejtor në Qendrën për Konservim në Gostivar. Si raste dhe shembull pozitiv, Fejzullahu përmend qytetin e Shkodrës ku këto institucione nuk paraqesin luks për shoqërinë shkodrane. Përmend edhe funksionimin e studios publike për audo-incizime që mund të shfrytëzoheshin nga talentet e rinj.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara