U prezantua si një transferim i bujshëm në formë huazimi menjëherë pas përfundimit të aventurës me Kombëtaren e Shqipërisë në Euro 2016, me kaloimin nga PAOK i Selanikut drejt Viktoria Plzen, por në të vërtetë ka rezultuar thjeshtë një zhgënjim shumë i madh ai i mesfushorit kuqezi, Ergys Kaçe. Futbollisti në pronësi të klubit grek konfirmohet se ka përfunduar në mënyrë të parakohshme aventurën e tij që ishte nisur si një huazim 1-vjeçar, por i finalizuar brenda vetëm pak muajve, për tu venitur në heshtje teksa pritet të rikthehet te PAOK, pa zbuluar ai vetë kurrë arsyen e kësaj eksperience të dështuar në kohë rekord. Një fenomen mbi të cilin, vetëm një ditë më parë, drejtuesit e skuadrës çeke, të Viktoria Plzen, kanë hedhur dritë. Trajneri dhe i gjithë stafi teknik e ai drejtues i klubit çek, nuk kanë toleruar mungesën e disiplinës, të shfaqur rëndomtë nga futbollisti shqiptar. “Ne nuk ishim aspak të kënaqur me mënyrën se si ai përmbushte detyrimet e tij në ekipin e parë. Për këtë arsye e transferuam te ekipi i të rinjve ku do të kalojë pjesën e mbetur të vjeshtës. Më pas do të vendosim çfarë të bëjmë”, deklaroi zëdhënësi për shtyp i Viktoria Plzen, në përfundim të ndeshjes me Austria Vienna, e vlefshme për fazën e grupeve të Europa League. Kace u transferua te Viktoria Plzen me pritshmëri të mëdha dhe shumë shpejt iu rezervua një vend në formacionin titullar të skuadrës, por ndeshja e tij e fundit me ekipin çek daton më 3 Nëntor, pikërisht në përballjen ndaj Astra, e vlefshme për kompeticionet europiane. Me një total prej 10 ndeshjesh, 8 nga të cilat si titullar dhe 2 si zëvendësues, Kaçe arriti të realizojë vetëm një gol, në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Çekisë, ndaj Hlucin, e fituar me rezultatin 0-7 nga Viktoria Plzen. Që nga fillimi i muajit nëntor, Kaçe nuk është më pjesë e ekipit të parë të Viktoria Plzen dhe është tashmë largimi i parë i sigurtë në merkaton e dimrit, me motivacionin e disiplinës së dobët, të cilën trajneri Pivarnik nuk ka asnjë qëllim ta tolerojë. “Unë e mora Kaçen në ekip, dhe ai do të largohet në dimër. Është futbollisti i vetëm që do të ikë në dimër”, deklaroi trajneri i Viktoria Plzen, Roman Pivarnik.