Vidhet Velasquez, vrasësi më i madh i viteve ‘89-‘90

I rekrutuari me synimin për të vrarë ish-bosin kolumbian të drogës, Pablo Escobar, ka bërë të ditur se ka rënë prè e një grabitjeje në qytetin e dytë më të madh të Kolumbisë, Medelin. Jhon Jairo Velasquez, i njohur edhe si “Popeye”, tha se ishin dy burra me motoçikleta, të cilët iu afruan atij teksa ngiste automjetin. Ata i kanë drejtuar armët dhe mundën t’i merrnin atij syzet e një marke luksoze, dy byzylykë ari dhe një telefon celular. Velasquez doli nga burgu në vitin 2014, pasi kaloi në të plot 22 vite me akuzën e vrasjes. Ai ka rrëfyer se kishte vrarë 300 persona, ndërkohë që ka pasur gisht edhe në vrasjen e 3000 të tjerë në vitet ’80-’90, kur ishte në krye të një skuadre vrasësish që punonin për kartelin e drogës së Medelinit. Që prej lirimit të tij, ai jeton në Medelin dhe transmeton rregullisht mesazhe përmes kanalit të tij në Youtube, duke komentuar thuajse gjithçka, që nga politika kolumbiane, e deri te arratisja dhe rikapja e lordit meksikan të drogës, Joaquin “El Chapo” Guzman.

Velasquez pretendon se është hera e dytë që grabitet në të njëjtën mënyrë, por policia bën të ditur se ai nuk i ka raportuar incidentet. Ngjarja e mëparshme, sipas tij, ka ndodhur disa muaj më parë, por asaj kohe ai kishte mundur të godiste njërin prej grabitësve me makinën e tij. Velasquez shprehet gjithashtu se kësaj radhe nuk bëri rezistencë, për shkak se avokati i tij e kishte këshilluar të qëndronte brenda kornizave të të ligjshmes. Ish-vrasësi kritikoi gjithashtu kryebashkiakun e Medelinit, Federico Gutierrez për atë që ai e quan si mungesë e sigurisë në qytet. “Kryebashkiaku është një idiot, qyteti është totalisht në duart e grabitësve me motoçikleta”, tha ai. Në kundërpërgjigje të akuzës, Gutierrez shkroi në “Twitter”: “Është shqetësuese fakti që dikush, i cili ka shkaktuar aq shumë dëme, të më japë mua moralitet. Ne jemi duke e luftuar ilegalitetin që ai ndihmoi të krijohej”. Banorët e Medelinit reaguan gjithashtu nëpër rrjete sociale, duke vënë në dukje ironinë e një personi, që dikur shkaktoi kaq shumë terror në qytet, e që tashmë ka rënë prè e një përpjekjeje kriminale.