Real Madrid-Bayern nuk zgjati vetëm 120 minuta, pasi kontestimi për mënyrën e arbitrimit ka vazhduar edhe brenda dhomave të zhveshjes ku ka shpërthyer furia e lojtarëve të bavarezë. Vidal, Thiago Alcantara e Lewandowski kanë hyrë brenda dhomave të zhveshjes së arbitrit Kassai dhe asistentëve të tij për të protestuar. Sipas raportimeve të “Mega”-s tensioni në tunel ishte shumë i lartë me thirrje dhe ofendime të lojtarëve të Bayern ndaj arbitrave. Për të vendosur qetësinë dhe evituar më të keqen ka qenë e nevojshme ndërhyrja e policisë, që ka arritur të zbusë tërbimin e Vidal me shokë.
“Kur përballen dy skuadra të nivelit të lartë në Champions – ka deklaruar ish-juventnini pas sfidës – një grabitje e tillë nuk mund të përtypet”. Në sintoni me Vidal ka qenë edhe Thiago Alcantara: “Duhet të jenë arbitra të kualifikuar. Kassai ka bërë gabime të pakonceptueshme në Champions”.