Zejnulla VESELI
Shkup, 11 janar – Maqedonia edhe pas 25 vite pavarësi vazhdon të ketë normën më të ulët në rajon të Bruto Prodhimit Vendor (BPV) për kokë banori, me rroga më të ulëta dhe numër më të lartë të papunësisë. Shteti me rreth dy milionë banorë ka dështuar të jetë konkurrent në raport me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Ekonomia, shkruan gazeta KOHA, gjatë 25 viteve të pavarësimit nuk ka arritur të shënojë rritje as mbi katër për qind, pavarësisht premtimeve dhe “plan programeve” të partive që kanë udhëhequr me qeveritë e deritanishme. Me rritje ekonomike mesatare prej 2.8 për qind në nivel vjetor, Maqedonia radhitet në vendin e fundit nga shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore, me rrogë mesatare prej 365 eurove, BPV për kokë banori prej 5060 dollarë amerikan dhe me papunësi prej 25.4 për qind.
Nga shtetet e rajonit, Sllovenia ka rrogë mesatare prej 1020 eurove BPV për kokë banori prej 21.370 dollarëve dhe shkallë të papunësisë prej 8.9 për qind. Çekia radhitet në vendin e dytë me rrogë mesatare prej 745 eurove, BPV për kokë banori prej 18.325 dollarëve dhe shkallë papunësie prej 4.1 për qind. Pas Çekisë, rrogë mesatare ka në Sllovaki prej 680 eurove, me BPV për kokë banori prej 16.648 eurove dhe shkallë papunësie prej 9.9 për qind. Hungaria gjithashtu ka rrogë mesatare prej 558 eurove BPV për kokë banori prej 11.902 dollarë dhe me numër të papunëve prej 6 për qind. Nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në vendin e parafundit radhitet Rumania me rrogë mesatare prej 426 eurove , BPV për kokë banori 9.439 euro dhe shkallë të papunësisë prej 6.4 për qind. Ndërsa në vendin e fundit radhitet Bullgaria me rrogë mesatare prej 361 euro me BPV-prej 7.091 dollarë dhe shkallë të papunësisë prej 8.2 për qind. Nga vendet e Ish Jugosllavisë përveç Sllovenisë rrogë mesatare më lartë se Maqedonia ka Kroacia prej 750 eurove me BPV për kokë banori prej 11.858 dollarëve dhe shkallë të papunësisë prej 16.4 për qind. Më mirë se Maqedoni qëndron Mali i Zi me rrogë mesatare prej 497 eurove dhe me BPV për kokë banori prej 6.809 dollarëve si dhe shkallë të papunësisë prej 16.9 për qind. Pas Malit të Zi radhitet Serbia me rrogë mesatare prej 368 eurove me BPV për kokë banori 5.293 dollarëve dhe numër të papunëve prej 18.6 për qind. Në nivel të njëjtë si Maqedonia është Bosnja dhe Hercegovina me rrogë mesatare prej 427 euro me BPV për kokë banori prej 4.289 dollarëve dhe shkallë të papunësisë njëjtë si Maqedonia prej 25.4 për qind. Sipas ekspertëve ekonomik që Maqedonia mund të arrin nivelin e rrogës mesatare dhe BPV-së për kokë banori si shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindorë i duhet më së paku dhjetë vitet e ardhshëm të ketë rritje ekonomike mbi 6 për qind dhe vetëm më ketë rritje mund të arrin rroga mesatare të jetë 600 euro me çka pensioni mesatar mund të arrinte nivelin prej 300 eurove. Akademiku Abdylmenaf Bexheti thotë se Maqedonia është vendi i vetëm në Evropë ku të dhënat statistikore për ekonominë janë dy anë të kundërta që nuk i përkasin realitetit. “Është absurde të besosh statistikave se 8 vitet e fundit kemi rritje ekonomik, papunësia zvogëlohet dhe se eksporti rritet ndërsa në anën tjetër kemi standard jetësor më të ulët në Evropë. Qytetarët e Maqedonisë këto 8 vitet e fundit vështirë se do të kishin mbijetuar vitin pa u futur në kredi apo borxhe tjera. Sipas të dhënave të fundit të BPM-së mesatarisht një qytetarët i Maqedonisë ka borxh 1000 euro në bankë apo tre rroga minus. Këto të dhëna tregojnë qartë se çfarë standardi jetësor kanë qytetarët e Maqedonisë krahasuar me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Maqedoni është vendi i vetëm në Evropë ku të dhënat statistikore për ekonominë janë dy anë të kundërta që nuk i përkasin realitetit”, thotë akademiku Abdylmenaf Bexheti.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.