Ndonjëherë kampionët rikthehen! Në rastin e Juan Sebastian Veron është një histori që përsëritet për herë të tretë. Mesfushori, në moshën 41-vjeçare, ka vendosur të veshë edhe një herë fanellën e Estudiante, klubi që 22 vjet më parë e lëshoi në botën e profesionizmit. Ka edhe një datë të caktuar, ish-mesfushori i Lazio, Inter dhe Manchester United do të luajë me ekipin argjentinas më 8 janar 2017, në “Florida Cup” kundër gjermanëve të Bayer Leverkusen. “Jam shumë mirë dhe kjo nuk është një kapriço. Do të rikthehem në futbollin e luajtur” – ka bërë të ditur Veron. Mesfushori i lindur në La Plata ka zyrtarizuar vetë praninë në ndeshjen miqësore. “I them të gjithë tifozëve të Estudiantes që do të vesh sërish ato ngjyra që i dua aq shumë. Ndeshja ime e parë do të jetë kundër Leverkusen në Miami.” Pasi i vari këpucët në gozhdë në verën e vitit 2014, Veron rifilloi stërvitjen dhe aktivizimin me një skuadër amatoriale, Estrella de Berisso, për t’u kthyer më pas në Kupën Libertadores me Estudiantes, klubi ku aktualisht është edhe president. “Kisha premtuar se do të rikthehesha po të kishim shitur 65% të abonimeve. Ia dolëm dhe tani më duhet të mbaj premtimin.”