Nga 17 dhjetori i këtij viti do të vendoset linja direkte ajrore nga Shkupi deri në Cyrih me kompaninë ajrore zvicerane “Gjermania flug AG”, kumtoi sot TAV Maqedoni. Ky destinacion menjëherë do të shtohet në orarin e aeroportit “Shën Apostol Pavle”. Fluturimet do të realizohen në bashkëpunim me operatorët turistikë “Air Prishtina”, ndërsa biletat mund të rezervohen në faqen e internetit www.airprishtina.com. Sipas marrëveshjes mes TAV Maqedoni dhe “Gjermania flug AG”, kompania ajrore do të operojë një herë në javë në linjën dimërore të fluturimeve të sezonit 2016/2017, ndërsa ai numër do të rritet dy herë në javë gjatë verës së vitit të ardhshëm. Përfaqësuesit e transportuesit ajror kohë më parë e vizituan Maqedoninë me ftesë të TAV dhe u takuan me anëtarët e repartit të marketingut të operatorit të aeroportit, si dhe me menaxhmentin e “TAV Maqedoni”. “Me të vërtetë jemi të lumtur që ky bashkëpunim do të fillojë të realizohet dhe në atë mënyrë do të përforcohen përpjekjet tona për prezantim të Maqedonisë si destinacion atraktiv turistik dhe veçanërisht, një nga vendet më të bukura, Liqeni i Ohrit dhe qyteti. Presim kjo rutë të shërbejë si lidhje e mirë mes Maqedonisë dhe Zvicrës, por edhe të funksionojë si lidhje mes Gjermanisë, veçanërisht pjesën e saj jugore, dhe Zvicra me Maqedoninë si destinacion përfundimtar”, theksoi Serkan Karahataj, koordinues i marketingut në “TAV Aeroporte”. Shtimi i këtij destinacioni është pjesë e aktiviteteve të marketingut të TAV me qëllim që të zgjerohet lista me fluturimet në të dy aeroportet e Maqedonisë – atë të Shkupit “Aleksandri i Madh” dhe të Ohrit “Shën Apostol Pavle”. Kohë më parë në ftesë të TAV, një numër i madh i operatorëve turistik francez dhe polak e vizituan Maqedoninë dhe Ohrin me qëllimin e njëjtë – vendosjen e fluturimeve të reja dhe rritjen e komunikacionit në aeroportin e Ohrit. “Fluturimet nga Ohri deri në Cyrih do t’i realizojmë në emër të partnerit tonë “Air Prishtina”. Jemi shumë të gëzuar që partneritetin tonë afatgjatë do ta zgjerojmë me këtë rutë të re. “Air Prishtina” dhe “Gjermania flug AG” veçmë bashkëpunojnë në Zvicër në fluturimet nga Cyrihu deri në Shkup, si dhe nga Cyrihu dhe Gjeneva deri në Prishtinë”, thotë URS A. Peliconi, drejtor kryesor komercial dhe anëtar ekzekutiv i bordit të “Gjermania flug AG”. Kjo kompani ajrore, selia e së cilës është në Glatbrug, Cyrih, është themeluar në gusht të vitit 2014. Pas fluturimit të parë në mars të vitit 2015, transportuesi ajror siguron shërbime në shumë destinacione për pushim dhe deri në qytetet e rajonit ballkanik. Përveç vendosjes së linjave të reja “TAV Maqedoni” këtë vit ka evidentuar edhe numër të madh të pasagjerëve. Në 10 muajt e parë të vitit 2016, në krahasim me periudhën e njejtë të vitit të kaluar, ka rritje prej 16 për qind, përkatësisht në të dy aeroportet “Aleksandri i Madh” Shkup dhe “Shën Apostol Pavle” në Ohër, është arritur një numër të përgjithsëm prej 1.534.591 pasagjerë. Në periudhën e njëjtë kohore numri i fluturimeve dhe zbritjeve është rritur për 11 për qind, përkatësisht janë realizuar gjithsej 14.406 fluturime.