Nga NP “Gazeta zyrtare e RM-së” konfirmuan se në numrin e sotëm është shpallur vendimi se Talat Xhaferi është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Republikë së Maqedonisë, me çka ai edhe zyrtarisht do ta marrë funksionin në dhomën ligjdhënëse. “Numri i sotëm i “Gazetës zyrtare” është shtypur, në vijim është distribuimi ku do të përgatitet dhe vendoset edhe në botimin elektronik”, informojnë nga NP “Gazeta zyrtare”.
Javën e kaluar nga “Gazeta zyrtare” paralajmëruan se në fillim të kësaj jave do të shpallet vendimi në numrin e parë të ardhshëm. Xhaferi u zgjodh kryetar i Kuvendit mbrëmjen e 27 prillit pas përfundimit të vazhdimit të seancës konstitutive. Për zgjedhjen e Xhaferit votuan deputetët e LSDM-së dhe partive shqiptare, përveç Lëvizjes Besa. Për VMRO-DPMNE zgjedhja e tij është jolegjitime dhe me këtë janë shkelur Rregullorja e Kuvendit, ligjet dhe Kushtetuta.
Më 4 maj Talat Xhaferi me shkresë e njoftoi presidentin Gjorge Ivanov se është formuar shumicë e re parlamentare me çka janë krijuar kushte që të ndahet mandati për formimin e Qeverisë. Shefi i vendit , siç njoftoi kabineti i tij, do të procedurojë në pajtim me Kushtetutën dhe praktikën e vendosur. Pas zgjedhjes Xhaferi paralajmëroi se seanca e ardhshme kuvendore do të konvokohet pasi që presidenti Ivanov do t’i japë mandatin për formimin e Qeverisë së Re, Zoran Zaevit.