Ministri turk për Çështjet e Bashkimit Evropian dhe Kryenegociatori Omer Çelik ka reaguar ndaj rezolutës së sotme të Parlamentit Evropian (PE) me të cilën parashihet pezullimi i negociatave të anëtarësimit me Turqinë nëse kjo e fundit zbaton reformat kushtetuese të miratuara me referendum më 16 prill, raporton Anadolu Agency (AA). Në një paraqitje lidhur me rezolutën e miratuar në PE rreth raportit të progresit të Komisionit Evropian (KE) për vitin 2016 për Turqinë, Çelik ka thënë se raporti përmban shprehje që nuk janë objektive dhe të besueshme. Gjatë fjalës së tij, Çelik ka thënë se mbështesin kritikat, porse raporti në fjalë, siç tha, është një raport sabotimi i përgatitur me mentalitetin e një koalicioni me qasje të njëanshme, duke qëndruar larg bashkëpunimit. “Për këtë arsye, njëlloj sikurse dy raportet e kaluara të PE-së, edhe këtë raport e konsiderojmë të pavlefshëm. Sapo të arrijë, raporti do të kthehet menjëherë pa u vlerësuar në asnjë mënyrë”, shtoi Çelik. Lidhur me thirrjet e PE-së të pezullohen negociatat për anëtarësim dhe të ndërpriten të gjitha fondet paranëtarësuese në rast të pezullimit të negociatave në qoftë se Turqia zbaton ndryshimet kushtetuese të miratuara me referendum më 16 prill, Çelik tha se PE është larg të kuptuarit rëndësinë e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian (BE). “Referendumi u realizua në mënyrë transparente me pjesëmarrjen e 86 për qind të qytetarëve. Nuk është demokratike që PE të bëjë thirrje për pezullimin e marrëdhënieve nëse ne zbatojmë një propozim të popullit. Ajo që kërkojnë nga Turqia është që Turqia ta shpërfillë vullnetin e popullit. Natyrisht, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë”, tha Çelik. Çelik theksoi se PE nuk ka treguar solidarizim të mjaftueshëm me Turqinë gjatë tentativës për grusht shteti vitin e kaluar që cenonte demokracinë, edhe krahas faktit që, siç tha Çelik, PE është institucion për solidaritet demokratik. “Fatkeqësisht, ata janë larg nga të kuptuarit zhvillimet në Turqi. Turqia është një vend që tregon kujdes të mbrojë rendin ligjor dhe kushtetues dhe të drejtat demokratike, madje edhe duke qenë nën sulme të shumanshme terroriste të cilat kanë kapacitetin të lëkundin shumë shtete. Pikërisht në këtë kohë kur PE duhet ta ftojë Turqinë për bashkëpunim dhe bashkëveprim dhe të ofrojë ndihmë në tejkalimin e kësaj periudhe të vështirë, ajo, si një shkollë e të drejtave të njeriut dhe ligjit, merr një vendim që nuk përkon me misionin dhe detyrat e saj themelore”, vuri në dukje Çelik. Ndryshe, deputetët e Parlamentit Evropian me 447 vota dhe 64 kundër miratuan sot projektrezolutën që, ndër të tjera, parasheh pezullimin e negociatave për anëtarësimin e Turqisë në BE, nëse ky vend zbaton pakon e reformave kushtetuese në formën që votuesit turq e miratuan me shumicën votash në referendumin e mbajtur më 16 prill.