Laura PAPRANIKU
Shkup, 5 korrik – Gjysmë maturantët shqiptarë nuk kanë arritur të plotësojnë as 25 për qind të vendeve të rezervuara për ta me Konkursin për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme. Nga 9830 vende, në paraqitjen e parë të afatit të parë të regjistrimit, sikurse bëhet e ditur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), në paralelet me mësim në gjuhën shqipe janë pranuar vetëm 2440 nxënës, shkruan gazeta KOHA. Te paralelet me mësim në gjuhën maqedonase përqindja e vendeve të plotësuara është për 10 shkallë më e lartë. Për 25.127 vendet e rezervuara, janë regjistruar 8590 nxënës maqedonas, që do të thotë se janë plotësuar mbi 34 për qind e vendeve të tyre. Në nivel shteti, janë plotësuar 31 për qind e vendeve të parapara.
Kësisoj, paraqitja e dytë e regjistrimit të nxënësve vjen këtë vit me shumë vende të lira, në thuajse të gjitha shkollat e mesme. Vende për regjistrim kanë mbetur me bollëk, edhe atë 24.529 vende, prej të cilave mbi 16.118 në gjuhën maqedonase, 7455 në gjuhën shqipe, 619 në gjuhën turke, 34 në gjuhën serbe dhe 103 vende për përsëritësit. Numri i vendeve të paplotësuara deri tani është për 11.380 më shumë krahasuar me 35.909 vendet të cilat janë rezervuar me Konkursin për regjistrimin e nxënësve në vitin shkollor 2017/2018.
Klasën e nëntë këtë vit e kanë përfunduar 20712 nxënës, që do të thotë së janë mbi 15 mijë vende më shumë se numri real i kandidatëve për regjistrim në arsimin e mesëm. Nisur nga statistikat, del se në nivel të Maqedonisë rreth 32 për qind e gjysmë maturantëve janë shqiptarë, i bie që këtë vit të arsimin fillor në gjuhën shqipe ta kenë kryer 6620 nxënës. Ndërkaq, numri i nxënësve që kanë paraqitur dokumentet për regjistrim në paralelet shqipe në paraqitjen e parë, është 4445 nxënës ose janë paraqitur diç më tepër se 67 për qind. Më shumë vende të lira ka në shkollat profesionale, edhe atë 5 204 vende, pastaj në gjimnaze 2 215 vende dhe 36 vende të lira në paralelet e gjimnazit sportiv.
Siç dihet, prej 10 vitesh arsimi i mesëm është i obligueshëm dhe kjo i detyron shkollat që të mbajnë të hapura dyert për pranimin e nxënësve deri në plotësimin e të gjitha vendeve të caktuara me Konkurs. Madje, për vitin e ardhshëm shkollor, MASH ka njoftuar se janë shtuar kuotat e regjistrimit në gjimnazet “Orce Nikollov” dhe “Rade J. Korçoagin”, ku nga paraqitja e parë kishin mbetur jashtë listave të pranimit nxënës me mbi 74 pikë. E përbashkëta e këtyre dy gjimnaze të kryeqytetit, është se kanë numër të vogël paralelesh, respektivisht nga 8 secila. Ky numër është për dy herë më pak sesa numri i paraleleve në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup, ku është caktuar të formohen 16 paralele me 544 vende. Në këtë gjimnaz si dhe në të gjitha shkollat e mesme ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, do të organizohet pranimi i dokumenteve për paraqitjen e dytë, me qëllim të plotësimit të vende të lira. Përjashtim bëjnë paralelet e mjekësisë në “Pançe Karagjozov” në Shkup dhe “Nace Bugjoni” në Kumanovë, të paraleleve ekonomike në shkollën “8 Shtatori” në Tetovë dhe “Niko Nestor” në Strugë. Në të gjitha drejtimet tjera, por dhe shkollat e mesme ka 7455 vende të lira për nxënësit shqiptarë, por nuk janë të pakta as vendet e lira për nxënësit maqedonas dhe turq, 16118, respektivisht 619 vende të lira për ta.
Në përjashtim të pesë gjimnazeve, katër prej të cilëve në Shkup: “Nikolla Karev”, “Orce Nikollov”, “Rade J. Korçoagin” dhe “Gjorgji Dimitrov”, si dhe në gjimnazin “Josip B. Tito” në Manastir, regjistrimi për paraqitjen e dytë do të organizohet në të gjitha shkolla ditën e mërkurën. Vetëm në këto pesë shkolla regjistrimi është mbyllur krejtësisht, ashtu sikundër edhe në drejtimet e mjekësisë në “Pançe Karagjozov” në Shkup, si dhe paralelet e mjekësisë në kuadër të shkollave të mesme të Kumanovës, Prilepit, Ohrit, Strugës dhe Strumicës, paralelet e ekonomisë në Manastir, Strugë dhe Tetovë, apo edhe paralelet e elektroteknikës në Koçani dhe Strumicë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.