Ish kryeministri grek Konstatin Micotakis vdiq natën e kaluar në moshën 98-vjeçare, kumtoi herët në mëngjes familja e tij. Në kumtesën e shkurtë thuhet se Micotakis ka vdekur në ora 1 sipas kohës lokale (mesnatë sipas kohës së mesme evropiane), pa potencuar hollësira për shkaqet e vdekjes.
Micotakis, i cili ka lindur më 18 tetor të vitit 1918, pothuaj 60 vjet ka luajtur rol aktiv në skenën politike greke. Ai nga politika është tërhequr në vitin 2004, kur skadoi mandati i tij i fundit si deputet. Djali i tij Kiriakos Micotakis është lider aktual i Demokracisë së Re, ndërsa vajza e tij Dora Bakojani është ish ministre e Punëve të Jashtme dhe e Kulturës dhe prefekte e dikurshme e Athinës.