Në burgun e Idrizovës në Shkup, të mërkurën mbrëma ka ndërruar jetë edhe një i burgosur. Kësaj radhe, siç njoftojnë nga Drejtoria e këtij burgu, bëhet fjalë për një grua 45 vjeçare nga Strumica. Pas përkeqësimit të gjendjes së saj, shërbimet e burgut e kanë thirrur Ndihmën e shpejtë, për shkak se gjatë orëve të pasdite dhe atyre të mbrëmjes në burgun e Idrizovës nuk ka mjek kujdestar, ka arritur vetëm të konstatojë vdekjen e j të burgosurës.
Nga fillimi i vitit e deri më sot, përkatësisht brenda periudhës gjashtë mujore, në burgun e Idrizovës, janë regjistruar gjashtë raste të vdekjes. Ndaj kësaj situate të krijuar, reagimi i menjëhershëm ka qenë edhe nga zyra e Avokatit të popullit, nga ku konstatojnë se vdekja e të burgosurve kryesisht lidhet me sistemin e keq shëndetësor që funksionon në këtë shtëpi ndëshkuese përmirësuese. E burgosura, e cila së fundmi ka ndërruar jetë, sipas të dhënave nga burgu i Idrizovës, ka vuajtur dënim prej tetë viteve burg për shkak të ndërmjetësimit në prostitucionin me fëmijë të mitur.
”Nga viti 2012-të, kur kjo e burgosur tashmë e ndjera është vendosur në sektorin e femrave në burgun e Idrizovës, vazhdimisht është ankuar nga problemet shëndetësore. Kartoni shëndetësor të cilën ajo e posedon, hyn në mesin e kartonëve më të mbushura që ekziston në burgun tonë. Brenda periudhës sa ka qëndruar në burgu, ajo shpesh herë është dërguar në spital, për shkak problemeve shëndetësore me gastritin, sëmundje respiratore e kështu me radhë”, thonë nga burgu i Idrizovës.
Mbingarkesa e burgut të Idrizovës, është njëra prej problemeve kryesor më të cilat ballafaqohet ky institucion ndëshkues përmirësuese, gjegjësisht sipas të dhënave nga ky burg, në mesin e personave që vuajnë dënimin gjenden edhe 450 persona të varur nga lëndët narkotike dhe mbi 150 të burgosur që kanë probleme psikike. Moszbatimi i dispozitave ligjore, të cilët parashohin që sistemi shëndetësor i burgjeve të mbulohet nga shtëpitë publike të shëndetit, norma këto që kanë hyrë në fuqi dy vite e më tepër, ka ndikuar që drejtoria e burgut të Idrizovës t’i paguan të gjitha harxhimet e të burgosurve nëpër klinikat e vendit. Ndryshe, pas konstatimit të vdekjes, rasti në fjalë është paraqitur në policit, ndërkohë prokurori publik ka a kryer ekspertizë në vendin e ngjarjes. Trupi i të ndjerës, siç thonë nga drejtoria e burgut është dërguar në mortore, me çka prokurori ditëve në vazhdim pritet të vendosë se vallë do të kryhet obduksionit ndaj saj ose jo.