Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë filloi vazhdimi i dhjetë i seancës konstitutive, në të cilën duhet të debatohet për zgjedhjen e kryetarit, zëvendëskryetarit, anëtarëve dhe zëvendësve të tyre të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve. Deputetët edhe sot vazhduan me replikat dhe vërejtjet procedurale.
LSDM, duke iu referuar nenin 78 paragrafi 2, sërish kërkoi nga kryesuesi i seancës Trajko Veljanoski që të kalojë në pikën 4 të rendit të ditës, respektivisht në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit ndërsa, sipas VMRO-DPMNE-së me këtë shkelet e drejta sipas rregullores dhe diskutimi duhet të vazhdojë derisa të përfundojë lista me deputetët e paraqitur për të pasur fjalën në foltoren e Parlamentit.
Në Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, VMRO-DPMNE do të përfaqësohet me gjashtë anëtarë, LSDM do të ketë pesë, ndërsa BDI dhe BESA nga një anëtar. Nga BDI si anëtar është përzgjedhur Xhevat Ademi, ndërsa nga Lëvizja BESA, Zeqiria Ibrahimi, nga VMRO-DPMNE, Ilija Dimovski, Antonio Milloshoski, Kërsto Mukoski, Daniella Rangellova, Dimitar Stevanaxhia dhe Bllagica Lasovska, nga LSDM Goran Misovski, Damjan Mançevski, Petre Shilegov, Muhamed Zeqiri dhe Ivana Tufegxhiq. Seanca konstituive kuvendore filloi më 30 dhjetor të vitit 2016, por u ndërpre, për shkak se nuk u sigurua shumicë parlamentare për zgjedhje të kryetarit të Dhomës ligjdhënëse.