Evis HALILI
Shkup, 4 gusht – Një prej projekteve të Ministrisë së Kulturës që në vite konsumoi të tërë interesin e pjesëmarrësve, “Vala e ngrohtë e kulturës”, do të realizohet sërish edhe këtë vit. Për shkak të borxheve të akumuluara, por edhe të interesimit të pakët të komunave për të marrë pjesë në të, realizimi i këtij projekti për këtë vit u vu në pikëpyetje, derisa Ministria e Kulturës vendosi që me vonesë të shpallë këto ditë konkursin, të ndarë në dy afate, shkruan gazeta KOHA. Me emërtesë dhe kritere të reja aplikimi, konkursi për “Valën e re të kulturës”, vjen i formatuar ndryshe, edhe pse thelbi mbetet i njëjtë, demetropolizimi i kulturës dhe transferimi nga qendra drejt qyteteve më të vogla. Po ashtu, është zhvendosur edhe periudha e shtrirjes së manifestimit, që këtë vit do të jetë nga muajit shtator e deri në fund të tetorit. Ndër risitë e konkurrimit është se e drejta për të marrë pjesë nuk i takon vetëm komunave, por edhe organizatave, shoqatave të qytetarëve, grupeve joformale, krijuesve nga sfera e artit dhe kulturës…. Sipas Ministrisë së Kulturës, edhe pse janë duke u përballuar me probleme financiare serioze për shkak të borxheve të trashëguara, për këtë manifestim kanë siguruar një buxhet prej dhjetë milionë denarësh. Të vetëdijshëm për sasinë e limituar të të hollave, i apelojnë donatorëve që të kontribuojnë në plotësimin e nevojave dhe vizioneve të manifestimit. Afati i parë i konkurrimit zgjat deri më 14 gusht, ndërsa afati i dytë është nga data 16 gusht. Projektet do të shqyrtohen brenda një afati të shkurtër, manifestimi do të nisë nga fundi i muajit gusht dhe do të zgjasë deri në fund të tetorit, ndërsa për datat e fillimit dhe mbarimit të tij Ministria e Kulturës ende nuk i ka saktësuar.
“Qëllimi i manifestimit është që të sigurohet demetropolizimi dhe decentralizimi i kulturës, disperzimi në mjediset lokale dhe pasurimi masivizimi dhe lëvizja e ofertës kulturore nëpër të gjitha rajonet e Maqedonisë…”, sqarojnë nga ky institucion me rastin e shpalljes së konkursit. Ende nuk dihet nëse ndryshimet do të ndikojnë tek pjesa shqiptare, kryesisht komunat, të cilat për gati dhjetë vjet e kanë konsideruar si të paarsyeshme pjesëmarrjen. Gjatë këtyre viteve pjesa më e madhe nuk kanë konkurruar për arsye reale, mungesën e shtëpive apo qendrave të kulturës, si në Haraçinë, Saraj, e të tjera, edhe pse edhe paradoksalisht asnjë prej tyre nuk ka bërë kërkesë për themelimin e një të tille. Ndërsa komunat e tjera, kryesisht arsyetohen me buxhetin e vogël që akordohet, si të pamjaftueshëm për të realizuar një manifestim të tillë. Në vit, në fillimet e “turneut festiv të verës”, konkurronin mesatarisht rreth 30 komuna, si Resnja, Pehçeva, Strumica, Manastiri, Prilepi, Ohri, Dojrani e të tjera, ndërkohë që në konkursin e fundit numri u reduktua në tre dhe interesimi ishte shumë i vogël. Por pavarësisht se cila komunë zgjidhej fituese, “Vala e ngrohtë e kulturës”, ka pasur si destinacion edhe komunat shqiptare në të cilat zhvilloheshin aktivitete dhe manifestime sipas një agjende të përcaktuar nga Ministria e Kulturës. (koha.mk)