Urim HASIPI
Tetovë, 1 qershor – Me një akademi solemne të organizuar në Universitetin e Tetovës, të mërkurën pasdite në Tetovë, zëvendëskryetarja Ekzekutive e Universitetit të Ilinoisit Verior, Lisa Freeman dhe drejtori i Programit për ndërtimin e paqes dhe të drejtave të njeriut i Institutit për Studimin e të Drejtave të Njeriut i Universitetit të Kolumbisë, David Phillips, u laureuan me titullin më të lartë shkencor, Doctor Honoris Causa.Akademinë e shpalli të hapur Rektori i Universitetit të Tetovës, Vullnet Ameti.
Ai, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve tha se këtë çmim Universiteti i Tetovës, e ndan për personalitete të njohura, të cilët shënojnë arritje të jashtëzakonshme, duke dhënë kontributin e tyre të pashoq në avancimin e shkencës në përgjithësi dhe mbrojtjen e parimeve të të drejtave dhe lirive universale. Dy personalitetet, që ne sot i shpallim Doctor Honoris Causa të Universitetit të Tetovës, shquhen si për angazhimin e tyre politik e shoqëror, ashtu edhe për kontributin e tyre shkencor me përmasa globale.
Profesori David Phillips, tashmë është i njohur për mbarë publikun në rajonin e Ballkanit. Ai, për rreth 3 dekada, merret intensivisht me çështjen shqiptare dhe kontributi i tij do të mbetet i pashpagueshëm në historinë e popullit shqiptar. Përveç si diplomat dhe lobist, ai ka kontribuar në aktualizimin e çështjes shqiptare edhe si akademik, duke botuar me mijëra artikuj nëpër revista prestigjioze botërore, si Hantington Post, Zëri, Shekulli, etj. Historiografisë botërore dhe asaj shqiptare i ka sjellë edhe një vepër voluminoze ,,Çlirimi i Kosovës”, të botuar një vit më parë nga Universiteti i Tetovës, në të cilën ai hedh dritë mbi të vërtetën e kombit shqiptar për liri e pavarësi. Lisa Freeman është zëvendëspresidente e Universitetit të Ilinoisit Verior (NIU) dhe një aktiviste e shquar për të drejtat e komuniteteve, ku bën pjesë edhe komuniteti shqiptar në numër të madh në shtetin e Ilinoisit.
Në saje të angazhimit të saj, sot Universiteti i Tetovës ka një partner të fuqishëm në SHBA dhe korpusi i bashkëpunimit ndëruniversitar i ngërthen thuajse të gjitha sferat:hulumtimin e institucionalizuar shkencor, konferencat e përbashkëta shkencore, shkëmbimin e stafit akademik dhe studentor, si dhe jemi në përgatitje e sipër të programeve të përbashkëta studimore. Ideja jonë për të themeluar një Qendër për paqe dhe komunikim transkulturor, për të qenë më afër komunitetit të gjerë, si këtu te ne ashtu edhe në shtetin e Ilinoisit, është mbështetur fuqishëm nga profesoresha Freeman dhe ekipi i saj dhe tashmë po i shohim frytet e para: këtë vit u mbajt edhe konferenca e parë në Tetovë, e cila mblodhi në gjirin e vet studiuesit me emër në këtë fushë nga Maqedonia, rajoni dhe SHBA, kurse më 2 nëntor, konferenca e radhës do të mbahet në Çikago, me ç’rast njëri ndër folësit kryesorë të konferencës do të jetë ambasadori Xhejms Perdju, anëtar nderi i komunitetit akademik të Universitetit të Tetovës”, tha Vullnet Ameti, rektor i Universitetit të Tetovës. Laureatët Lisa Freeman dhe David Phillips, diplomat ua ndau Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti. Pas marrjes së diplomave, ata u shprehën se pas marrjes së çmimeve, me këtë ne obligohemi që në të ardhmen të vazhdojmë ta mbështesim Universitetin e Tetovës dhe bashkërisht ta ngremë në një piedestal me Universitetet me renome ndërkombëtare.
“Të gjitha projektet tona të përbashkëta deri më tani kanë qenë në nivel të duhur. Si dy universitete partnere kemi qenë gjithmonë të hapur për diskutime, vlera dhe prosperitet ekonomik dhe njëkohësisht kemi mbështetur aspiratat e të rinjve tanë, respektivisht studentëve. Më bën krenar fakti që Universiteti i Ilinoisit Verior në SHBA, bashkë me Universitetin e Tetovës arritëm ta themelojmë Qendrën për paqe dhe menaxhim transkulturor, me seli në universitetin tuaj, një bashkëpunim ky që funksionon në mënyrën më të mirë të mundshme edhe sot e kësaj dite” tha Lisa Freeman.
David Phillips evokoi disa momente që lidhën me të kaluarën e shqiptarëve.“Kam një moment të bukur në vitin 1994 kur kam ardhur në Universitetin e Tetovës dhe kam takuar Rektorin e parë të këtij Universiteti, Fadil Sulejmanin. Takimin e zhvilluam në një bodrum të një ndërtese këtu në Tetovë, ku ai ishte bashkë me studentët dhe më tha që të kërkoj nga kongresmenët amerikanë që t’i japin mbështetje Universitetit tuaj. Pesë vite më vonë, në mars të vitit 1999, në konfliktin e Kosovës, Richard Holbruk, më thirri në telefon dhe më tregoi se negociatat janë ndërprerë dhe një ditë më vonë SHBA- të filluan bombardimet ndaj Serbisë. Ngjarja e sotme do t’i shtohet listës së kujtimeve të mia të bukura që kam me shqiptarët. E them sinqerisht se SHBA-të dhe Perëndimi, miq më të mirë dhe më të sinqertë e kanë popullin shqiptar”, vlerësoi David Phillips. Në këtë akademi kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të spektrit politik në vend në mesin e të cilëve lideri i Aleancës së Shqiptarëve, Zijadin Sela dhe Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, ndërsa në nivel të qeverisë ka qenë tashmë ish zëvendëskryeministri Festim Halili. Akademia u pasurua edhe me një program të pasur kulturor artistik nga Kori i Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës dhe dy tenorët shqiptarë, Kastriot Tusha dhe Selami Kolonja.