Laura PAPRANIKU
Shkup, 10 mars – Java që po lëmë pas duke përfshirë edhe fillimin e javës së ardhshme do të shënojnë në Universitetin e Tetovës një frymë ndryshe në procesin e studimeve. Konkretisht, përmes të ashtuquajturës “Java e veçantë studimore” që realizohet nga Fakulteti i Filozofisë dhe Shoqata “Arsimi” e Zvicrës, studentët do të bëjnë hulumtime paralelisht procesit të rregullt të mësimit, shkruan gazeta KOHA. Gjithë kjo bëhet si përpjekje për të forcuar komponentin e hulumtimit, i cili sikurse thonë drejtuesit e UT-së, nuk është në nivelet e duhura në përgjithësi nëpër universitete tona. Shkenca, thotë rektori Vullnet Ameti, ka bërë detyrën e saj. “Ajo ka shënuar suksese të paimagjinueshme duke ndikuar fuqishëm në zhvillimet shoqërore, si në përparimin ekonomik, kulturor dhe teknik e teknologjik. Mirëpo, arsimimi dhe kërkimi shkencor si vlerë universale për njerëzimin fatkeqësisht nuk kanë ecur me ritme të njëjta edhe në shtetet e Ballkanit Perëndimor, sikurse ka ndodhur në vendet e zhvilluara perëndimore”, u shpreh ai, duke inkurajuar studentët dhe profesorët për më shumë qasje në veprimtari hulumtuese. Aktiviteti që synon të nxit frymën e hulumtimit dhe kërkimit shkencor në mesin e studentëve të UT-së, ka nisur në datën 7 mars dhe do të përfundojë të mërkurën e javës së ardhshme me prezantimin e punimeve përkatëse.
Dekani Fatbi Osmani lidhur me karakterin e aktivitetit “Java e veçantë studimore” thotë se e veçanta e kësaj jave është se studentët do të punojnë ndryshe nga ditët tjera dhe aktivitetet e zakonshme. “Qëllimet e kësaj jave janë të veçanta për arsye se studentët kanë mundësinë të zgjerojnë njohuritë e tyre teorike dhe të pasurojnë praktikën mësimore me përvoja të reja, do të të jenë në gjendje që në mënyrë kritike të merren me vetveten, do të rishikojnë normat dhe vlerat në të cilat thirremi, qëndrimet dhe botëkuptimet personale”, shprehet Osmani, ndërsa sqaron e këtë nuk do ta bëjnë vetëm studentët, por edhe ai dhe gjithë profesorët tjerë. Përmes këtyre proceseve, sipas dekanit Osmani, synohet që studentët dhe profesorët të kuptojnë më thellë profesionin e mësuesit dhe edukatorit edhe atë duke rishikuar qëndrimet pedagogjike dhe kuptimin mbi profesionin, duke analizuar dhe konstatuar kompetencat e arritura gjatë studimeve, formimin dhe zhvillimin e vizionit për shkollën. Në përfundim të aktivitetit, sikurse paralajmëroi ai, shpalosen hulumtimet dhe të njëjtat do të botohen një libër të veçantë të titullar “Mësuesi i ri i shekullit 21”. Mahir Mustafa, kryetari i Shoqatës “Arsimi” nga Zvicra, vlerësoi gatishmërinë e UT-së për bashkëpunim në këtë projekt, i cili siç tha ai, synon avancimin e komponentës kërkimore në procesin e studimeve. Sipas tij, në prezantimin e rezultateve të arritura nga “Java e veçantë studimore”, në UT do të jenë të pranishëm ministrat e Arsimit të Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë. Ndërkaq, nga UT thonë se mbeten të përkushtuar në realizimin e projekteve të ndryshme me karakter mësimor-shkencor, si dhe në realizimin e nismave dhe projekteve me interes të veçantë për studentët dhe pedagogët e tyre.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.