Urim HASIPI
Tetovë, 5 korrik – Ka dështuar mbajtja e seancës për zgjedhjen e ushtruesit të detyrës për kryetar komune në Bogovinë. Këshilltarët e Bashkimit Demokratik për Integrim nuk kanë arritur që të sigurojnë numrin e mjaftueshëm të nevojshëm për të mbajtur seancën, shkruan gazeta KOHA. Ndërsa të njëjtën e kanë bojkotuar këshilltarët e opozitës. Arsyeja e bojkotit ka qenë se ata janë njoftuar vetëm dy orë para se të fillojë seanca dhe kjo për këshilltarët e opozitës ka qenë e papranueshme, për shkak se këshilltarët janë nëpër vende të punës dhe nuk kanë pasur mundësi që të gjenden fizikisht në seancë.
“Më vjen keq që do të duhet të deklarohem kundër pritjeve të qytetarëve, sepse të gjithë kanë pritur se sot do të zgjidhet ushtruesi i detyrës dhe zgjidhjen e këtij ngërçi. E thirrëm seancën, ku prezent ishin 8 këshilltarë dhe nuk kishim kuorum prej 10 këshilltarëve. Ne nuk mund të vendosim përkundër pritjeve të qytetarëve të cilët janë pa rroga, pa sigurim e kështu me radhë. Nuk i di arsyet, por me siguri opozita bën politikë dhe më vjen keq të them se me qytetarët nuk bëhet politikë se dy muaj janë pa rroga. Ne jemi të gatshëm që të mbajmë edhe një seancë kur ata ta shohin të aryseshme. Ka një grup që janë këshilltarë të LRPDSH-së, të PDSH-së dhe të pavarur”, tha Safet Imeri, kryesues i Këshillit në Komunën e Bogovinës. Koordinatori i grupit të këshilltarëve opozitar, Bujar Misimi, tha se edhe pse e kanë thirr ata seancën, megjithatë ftesat janë dërguar në afat të shkurtër, gjegjësisht janë njoftuar dy orë para seancës.
“Arsyeja kryesore se pse nuk morëm pjesë në seancë ka qenë se përmes komunës jemi informuar dy orë para seancës dhe ishte e pamundshme ne si këshilltarë që të marrim pjesë, sepse dihet që këshilltarët kanë edhe obligime tjera. Nuk ka pasur gjasa që ne brenda dy orëve të marrim pjesë. Ne bëjmë përpjekje që seanca e radhës të mbahet sa më shpejtë. Kryetari i Këshillit e ka të qartë se nuk ka shumicë, shumicën e kemi ne si opozitë e koordinuar dhe kjo është demokratike”, tha Misimi. Në ndërkohë, të enjten, në Komunën e Bogovinës, në cilësinë e ndërmjetësuesit ka qenë këshilltari në ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, gjegjësisht inspektori Rahim Musliu, i cili ka realizuar takime me dy taboret e këshilltarëve për të zgjidhur situatën e krijuar, e cila ka qenë pa rroga 450 arsimtarë, 39 administratorë të komunës dhe 19 punëtorë të ndërmarrjeve publike si dhe punëtorë me kontrata në vepër. “Ministria e Vetëqeverisjes Lokale është shumë e interesuar që të zgjidhet çështja e ushtruesit të detyrës të kryetarit të Komunës së Bogovinës. Kjo është diskutuar edhe në seancën e Qeverisë, prej nga Ministria për Vetëqeverisje Lokale, gjegjësisht inspektorati është autorizuar që për së afërmi të ndjek situatën në këtë komunë. Unë kam zhvilluar takime me dy grupet e këshilltarëve javën e kaluar dhe u morëm vesh që të jem prezent në seancën e Këshillit. Nëse sot nuk ka kuorum për mbajtje të mbledhjes, atëherë ne do të kontaktojmë edhe me grupet tjera që të koordinojmë një takim ku do të merremi vesh për një zgjidhje. Do të insistojmë që kjo procedurë të përfundon para afatit që qeveria të cakton ushtruesin e detyrës”, tha Rahim Musliu, këshilltar në Ministrinë e njësisë së Vetëqeverisjes Lokale. Në ndërkohë të dy taborret nuk preferojnë që të vijnë deri tek ajo situatë që Qeveria të caktojë ushtruesin e detyrës, ndërsa nëse në ndërkohë nuk arrihet marrëveshje për mbajtjen e seancës së radhës, atëherë Sindikata rajonale e arsimit do të mbajë protesta. Përndryshe, kjo situatë ka ardhur si pasojë e vrasjes së kryetarit të Komunës së Bogovinës, Hazbi Idrizi nga një bashkëvendës i tij. (koha.mk)