Një oficer i ushtrisë amerikane ka marrë me vete edhe ish-përkthyesin afgan për të jetuar në Amerikë, përkundër frikës se ai mund të ndalohej nga rregullat e reja të emigracionit. Capt Matthew Ball, i ka paguar biletën afganit Qismat Amin, pasi përkthyesi kishte pritur rreth katër vite për të marrë një vizë të veçantë emigracioni. Vendimi i presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për të ndaluar emigrantët nga shtatë vendet me shumicë myslimane, nuk e përfshinë Afganistanin. “Jam shumë i lumtur”, ka thënë ushtaraku pasi priti ish-përkthyesin nga Afganistani në Aeroportin Ndërkombëtar të San Francisco. Amin thuhet se qëndroi i fshehur për një kohë të gjatë pas kërcënimeve me vdekje nga talebanët, të cilët ndjekin të gjithë afganët që kanë punuar me forcat amerikane. Ai arriti të hyjë në Shtetet e Bashkuara dy ditë pasi Donald Trump nënshkroi vendimin për ndalimin e emigrantëve që duan të hyjnë në vend nga vendet me shumicë myslimanë, duke përfshirë edhe Sirinë.