Për të gjithë ata që preferojnë ushqimet pikante, vjen lajmi i mirë. Një spec djegës në ditë ul vdekshmërinë me gati 13 për qind, për shkak se redukton rrezikun për prekjen nga sëmundjet e zemrës dhe mbron nga goditja në tru. Në këtë përfundim ka dalë një studim i kryer nga Universiteti Vermont, botuar në revistën “PLoS ONE”. Duke përdorur të dhënat nga Anketa Kombëtare Shëndetësore (NHANES) e 16 mijë amerikanëve, studiuesit kanë vënë re se vdekshmëria e përgjithshme në mesin e konsumatorëve përdorues të ushqimeve pikante ishte 21.6% krahasuar me 33.6% te jopërdoruesit. Në studim, ata që priren të konsumojnë ushqimet pikante janë meshkujt, përgjithësisht me status të martuar, që tymosin cigare, pinë alkool, kanë ngrënë më shumë perime dhe mish, me nivel kolesteroli të ulët në krahasim me të tjerët që nuk i konsumojnë djegëset. Ka disa shpjegime se përse rekomandohen ushqimet pikante. Një ndër to është se specat djegës kanë në përbërje capsaicina, që është edhe komponenti kryesor i saj. Kjo lëndë ka një rol në mekanizmat qelizorë dhe molekularë që parandalojnë trashjen e enëve të gjakut. Ajo gjithashtu përmban vlera ushqyesve të tilla si vitaminë B, C dhe pro-vitaminë A, e cila ndihmon që të ketë një efekt mbrojtës. “Konsumimi i specave djegës dhe ushqimeve pikante mund të bëhet bazuar në një dietë specifike”, tha Mustafa Chopan, koordinator i studimit.
Bizelja ul nivelin e kolesterolit
Një vakt me bizele mund të jetë tejet i shëndetshëm për shkak të vlerave ushqyese që bizelet mbartin. Përveçse ndikojnë në uljen e kolesterolit, bizelja ka sasi të konsiderueshme të magnezit. Eksperti vjenez i shëndetësisë, profesor Hademar Bankhofer, e cilëson bizelen një ushqim antistresues. Përveçse stimulon ndërtimin e muskujve, bizelja forcon nervat, flokët dhe indin lidhës, si dhe shikimin e përqendrimin.
Hudhra, për të forcuar imunitetin
Hudhra ndikon në forcimin e sistemit imunitar. Ajo është e pasur me përbërës, të cilët luftojnë mikroorganizmat që mund të shkaktojnë sëmundje të ndryshme. Specialistët e shëndetit janë të mendimit se hudhrat vrasin disa prej viruseve, të cilat konsiderohen përgjegjëse për gjendjen gripale.
Ushqimi vegjetarian, për tensionin e lartë
Mund të duket gati hipotetike, por studimet kanë treguar se vegjetarianët kanë më pak gjasë që të vuajnë nga hipertensioni. Nga të dhënat e përftuara, ka rezultuar se ushqimet vegjetariane mbajnë nën kontroll presionin e lartë të gjakut. Konsumimi i mishit është konsideruar i dëmshëm, ndaj edhe rekomandohet që të konsumohen sa më shumë perime dhe zarzavate, pasi vetëm në këtë mënyrë do të ruhen vlerat normale të tensionit.