Imami shqiptar Tahir Kukaj nga Qendra Kulturore Islamike Shqiptare në Tompkinsville, Kentucky, SHBA, thotë se myslimanët e Staten Island janë “shumë të shqetësuar dhe të brengosur”. Pasi presidenti i ri amerikan, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv të premten i cili bëri thirrje për kontrolle të detajuara ndaj refugjatëve për të mbajtur “terroristët radikalë islamikë” jashtë vendit, myslimanët e Staten Island thonë se “i frikësohen më të keqes”. “Çdo ditë, çdo moment kemi imigrantë që vijnë këtu. Ky është vend i mundësive. Është vend mikpritës. Është vend i shpresës… Por tani njerëzit pritet të ndalohen. Kjo po i shkatërron familjet”, ka thënë Kukaj, raporton “silive”. Ndonëse vendi i tij i prejardhjes, Shqipëria, nuk është në listën e shtatë shteteve me shumicë myslimane – Iraku, Siria, Irani, Sudani, Libia, Somalia dhe Jemeni – që i ka bllokuar Trumpi, Kukaj thotë se është shqetësuar nga urdhri ekzekutiv i Trumpit. “S’kemi dëgjuar nga presidenti Trump të ketë thënë se myslimanët amerikanë janë të mirëpritur këtu… Kjo nuk është mënyra për të zgjidhur probleme. Unë e përkrahi në plotëni idenë për të parë se kush po vjen këtu dhe pse po vinë këtu. Por jo për të veçuar shtete vetëm pse ka myslimanë atje… kjo nuk flet për vlerat amerikane”, ka thënë Kukaj, transmeton Koha.net. “Duhet të ketë një balanc në mes të sigurisë sonë dhe politikës. Por ai (Trumpi) duhet të jetë i kujdesshëm që populli të mos kthehet në tërësi kundër popullatës myslimane”, ka thënë imami Ghulam Rasul nga Masjid Un-Noor në Concord. “Tani po na sheh e tërë bota. Kjo s’ka të bëjë me të qenit mysliman. Ka të bëjë me humanizmin. Ka shumë të krishterë e hebre – jo-myslimanë – që jetojnë në këto shtatë shtete. Zotëri Trump dijet të jetë i shqetësuar për sigurinë e Amerikës, por në të njëjtën kohë duhet shqetësuar edhe për emrin e mirë të Amerikës”, ka shtuar ai. Myslimanët e Staten Island frikësohen se kjo ndalesë do të rezultojë në krime të urrejtjes kundër komunitetit mysliman. “Në këtë vend, myslimanët janë rrahur nëpër xhami, dhe disa xhami edhe janë djegur deri në themel”, ka thënë Kukaj, duke theksuar se një xhami në Teksas është shkatërruar nga zjarri të shtunën në mëngjes.