Laura PAPRANIKU
Shkup, 13 mars – Maqedoni vazhdon të mbetet ende shumë prapa standardeve evropiane të arsimit, e sidomos në nivelit të arsimit të lartë, shkruan gazeta KOHA. Shtimi i universiteteve dekadën fundit ka rritur deri diku përqindjen e popullatës me arsim të lartë, edhe pse larg parametrave të Strategjisë “Evropa 2020”, mirëpo nuk e ka ndryshuar aspak perspektivën e të rinjve, respektivisht atyre që janë me arsim të lartë. Pjesa dërmuese ballafaqohen më mungesën e punës pasi të kryejnë fakultetin, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre largohen nga Maqedonia pasi të mbarojnë fakultetin. Të dhënat zyrtare, flasin për “ikjen e trurit” në përqindje të larta, pra se një pjesë e konsiderueshme e popullatës që largohen janë me diploma dhe tituj shkencor. Në Strategjinë nacionale të punësimit për periudhën 2017 -2020, përcjell KOHA, flitet për përqindje të larta migrimi të popullatës së re. “Studentë të diplomuar, duke llogaritur këtu edhe ata me magjistratura që ikin nga Maqedonia përbëjnë rreth 10 për qind të popullatës, konkretisht 10.7 për qind në vitin 2014, 11.2 për qind në vitin 2013 dhe 9 për qind në vitin 2012: thuhet në atë Strategji. Ndërkaq, grupi më i vogël i personave të larguar, për të njëjtën periudhë kohore, thuhet se janë personat me doktoratura, të cilët përbëjnë 0.5 për qind nga numri i përgjithshëm i popullatës”.
Këto shifra dhe përqindje bëhen ende më dramatike nëse i analizojmë në kontekst të parametrave që janë përcaktuar me Strategjinë evropiane të arsimit “Evropa 2020”, e cila synon që shkalla e popullsisë me arsim të lartë të mos jetë më e vogël se 40 për qind. Këto parametra janë vendosur jo vetëm për shtetet e Bashkimit Evropian, por edhe shtete si Maqedonia të cilat kërkojnë anëtarësimin në BE. Sakaq, tre vjet në përfundim të asaj periudhe kohore, shkalla e popullsisë me arsim të lartë është 18 shkallë më poshtë, ndërsa ende më keq është situata me nivelin e investimeve në arsimin e lartë. Që të arrihen parametrat e “Europa 2020”, duhet të rritet për 15 herë më shumë shkalla e investimet financiare për shkencën. Pra, nga 0.2 për qind e BPV sa është aktualisht ai buxhet në Maqedoni, duhet të shkojë në 3 për qind të BPV, sikurse kërkohet me Strategjisë Evropiane Arsimore “Evropa 2020” . Në këtë strategji, dy prej objektivave kryesore janë: niveli i popullatës me arsim të lartë dhe investimet në këtë sektor.
Rëndësi të veçantë kanë edhe orientimi i arsimit të lartë sipas nevojës së tregut të punës, me qëllim që investimet në përgatitjen profesionale dhe intelektuale të mos shkojnë dëm. Kjo nënkupton punësimin konform shkollimit të përfunduar. Maqedonia, deri tani ka dështuar të vë balancat edhe në këtë drejtim. Strategjia Nacionale e Punësimit (2017-2012) e konfirmon një gjë të tillë. Edhe pse dekadën e fundit raportohet se është ulur shkalla e papunësisë nga 32.3 për qind në vitin 2009 në 23.4 për qind në vitin 2016, prapë se prapë ajo shkallë është tepër e lartë, e sidomos te mosha e të rinjve. Personat me arsim të lartë mesatarisht presin nga 6 deri 7 vjet për punësim, ose 71.6 muaj. Vetëm 40 për qind e kësaj kategoria ka fatin të gjejë punë në periudhën nga 1 deri 3 vjet nga përfundimi i studimeve. Ende me e rëndë është situata me kategorinë e personave të cilët nuk janë as në sistemin arsimor dhe as të punësuar. Në vitin 2016, u raportua se në këtë kategori bëjnë pjesë për 25.2 për qind e personave nga 15 deri 24 vjet. Me gjithë reformat e shumta, intervenimet e shpeshta në ligjet që rregullojnë sferën e arsim të lartë, të dhënat flasin se në Maqedoni nuk është punuar mjaftueshëm në drejtim të rregullimit të gjërave dhe as nuk është kthyer faza e tranzicionit në sistemin arsimor.
Krahas nivelit të ulët të popullsisë me arsim të lartë, buxhetit të mangët për shkencën, janë edhe shumë standarde të tjera që Maqedonia duhet të arrijë për të pretenduar barazinë në tregun evropian. Njëra prej tyre është edhe mobiliteti i studimeve, respektivisht vendosja e sistemit evropian të transferim të kredive që përbën njërën prej vlerave më sublime të Procesit të Bolonjës. Por, sikurse e kanë pranuar të gjithë ministrat e deritanishëm të arsimit, ky proces ka dështuar të realizohet siç duhet.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.