Zejnulla VESELI
Shkup, 5 prill – Kur shpenzimet e Qeverisë i kalojnë të ardhurat e mbledhura në buxhet, krijohet një diferencë, që në përqindje të Bruto Prodhimit Vendor, quhet deficit buxhetor dhe derisa në vazhdimësi kemi rritje të deficitit buxhetor ndër vite, është e pamundur të funksionojë shteti pa u futur në borxhe të reja, shkruan gazeta KOHA. Ish ministri i Financave, Trajko Sllavevski, thotë se deri sa kemi një ekonomi me deficit dhe borxh publik të lartë, është e pamundur të funksionojë qeveria pa gjetur para të reja që të mund të përballon shpenzimet. “Në situatën kur në vazhdimësi ke rritje të deficiti buxhetor, si çdo qeveri në botë, për shkak se shpenzimet i kalojnë të hyrat në buxhet, nuk arrin të paguaj pensionet, rrogat si dhe detyrimet fiskale ndaj biznesit, atëherë detyrohet të sigurojë më shumë para, kryesisht përmes huamarrjeve në tregun financiar ndërkombëtar apo detyrohet të emeton bono të thesarit në tregun vendor, gjegjësisht në bankat komerciale vendore dhe fonde te ndryshme”, thotë për KOHA, Sllavevski. Është shumë e vërtet, shton Sllavevski, se rritja e borxhit publik ndikon negativisht në ekonominë e vendit, sepse kur harxhimet janë më ta larta se të hyrat, kurse rritja ekonomike fillon të ngadalësohet. “Mekanizmi i vetëm që shteti të reduktojë borxhin e jashtëm dhe të brendshëm, është të ngadalëson huamarrjet në tregun financiar ndërkombëtar dh atij vendor dhe të krijojë strategji se si të ul deficitin buxhetor. Pra, duhet të fillohet të menaxhohen drejtë me të hyrat në buxhet, gjegjësisht paratë e buxhetit të shpenzohet më së shumti për realizimin e investimeve kapitale që më vonë mund të gjenerojnë më shumë të ardhura në buxhet”, thotë ish ministër i Financave, Trajko Sllavevski. Edhe Besnik Fetai, ish-ministër i Ekonomisë, vlerëson se faktori i vetëm që do të mund të reduktonte borxhin publik, është ulja e deficitit buxhetor. “Ndër veprimet e para të qeverisë së re, nëse së shpejti formohet, do të duhet të jetë përgatitja e një strategjie të bazuar në rritjen e të hyrave në buxhet dhe menaxhim më të mirë me paratë e buxhetit sa i përket investimeve kapitale, të cilat janë pararojë e rritjes ekonomike, sepse vetëm kështu mund të reduktohet borxhi publik vit pas viti”, thotë Fetai. Në këto kushte kur vazhdimisht shteti po futet në borxhe të reja, sipas Fetait, mënyre më e mirë do të ishte marrja e borxheve të reja më interes të ulet për shlyerjen e një kredie të mëparshme me normë interesi më të lartë. ”Do të ishte mirë të bëhet një listë e borxheve të detyruara, gjegjësisht pagimi në fillim i borxhit me përqindje të lartë interesi dhe më tej detyrimet e tjera. “Në pamundësi të zgjedhjes së një rruge tjetër të reduktimit të borxhit publik, do të ishte mirë të aplikohet mënyra tjetër për reduktimin e borxhit, i ashtuquajturi “konsolidim i borxhit”. Thelbi i këtij konsolidimi qëndron në atë që merret një kredi me interes të ulët për shlyerje borxhi të një kredie me interes të lartë. Në këtë kuptim, një borxh i lartë është një pengesë e drejtpërdrejtë për rritjen ekonomike, i cili njëherit pasqyrohet dhe në përkeqësimin e politikave sociale”, thotë Besnik Fetai, ish ministër i Ekonomisë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara