Laura PAPRANIKU
Shkup, 20 qershor – Të konsideruara si instrumente populiste në krijimin e politikave të deritanishme arsimore, programet e disperzuara studimore kanë nxjerrë sërish në pah fërkimet politike për mënyrën e funksionimit dhe misionit që kanë institucionet e arsimit të lartë, shkruan gazeta KOHA. Sikundër edhe pritej, me ardhjen në pushtet të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) u ndërpre edhe tradita e shpërndarjes së studimeve universitare nëpër qytete tjera, me arsyetimin se një gjë e tillë është kërkesë e universitete dhe nevojë për rritjen e cilësisë në arsim. Studimet e disperzuara, kanë qene gjithashtu në fokus të kritikave edhe nga organizata joqeveritare dhe profesorë universitar viteve të shkuara. Këta të fundit akuzonin MASH-in dhe Qeverinë se po ndërhyn në autonominë e universiteteve, ndërsa organizatat joqeveritare venin theksin te mungesa e transparencës dhe debatit publik në marrjen e vendimeve.
“Nuk e morëm asnjëherë vesh se cili është plani aksionar dhe se cilat janë qëllimet e pritshme të disperzimit të universiteteve. Kishte shumë reagime postfestum, pasi mungonte paraprakisht debati publik për punën e disperzimit. As të rinjtë dhe as ekspertët e fushës nuk patën mundësi të ndikojnë në sjelljen e atyre vendimeve”, thonë nga Forumi Rinor Arsimor i Maqedonisë. Ndërkaq, për ministren e re të Arsimit, Renata Deskovskën, argumenti më i fortë është kthimi i autonomisë së universiteteve.
Me vendimin e fundit të Qeverisë për miratimin e kuotave të regjistrimit të studentëve në vitin akademik 2017/2018, u vendos që të ndërpritet disperzimi i të gjitha programeve të Universitetit “Kirili dhe Metodi” të Shkupit, nëpër qytet tjetra. Në fakt universitet nuk e kanë pasuar asnjëherë me dëshirë punën e disperzimit të studimeve të tyre, mirëpo statusi i institucionit publik i detyronte të zbatojnë vendimet që nxirreshin nga Qeveria, në këtë rast vendimet për disperzimin e studimeve të UKM-së në qytete të ndryshme: Tetovë, Dibër, Kërçovë, Strugë, Ohër, Prilep, Strumicë, Vallandovë, Veles apo Kumanovë. Pjesa dërmuese e atyre studimeve nuk u hapën asnjëherë, pasi nuk kishte numër të konsiderueshëm studentësh. Deri para vitit akademik 2013/2014 programe të disperzuara hapeshin edhe në kuadër të studimeve të Universitetit (Shtetëror) të Tetovës, por numri i tyre u reduktuar vit pas viti me kërkesa të vetë U(SH)T-së. Për formimin një grupi të caktuar studimesh të disperzuara, sipas Ligjit nevojiten të paktën 25 studentë që universiteti amë të mund të disperzojë një program të caktuar studimor. Në shumë qytete si për shembull në Dibër, Kërçovë apo Tetovë, ku në bazë të kuotave që miratonte qeveria UKM kishte kësi programesh nuk u plotësua asnjëherë numri i nevojshëm i studentëve për formimin e grupeve të studimeve të disperzuara. Ndërkaq, në qytete ku UKM hapi ato programe, kishte dilema të shumta për cilësinë e studimeve që organizoheshin atje. Gjatë një dekade të praktikave të disperzimit të universiteteve publike në Maqedoni, me qëllim të rritjes së numrit të studentëve u përdorën edhe metodat e stimulimit financiar. Konkretisht, studentët që regjistroheshin nëpër programet e disperzuara të cilido universitet paguanin gjysmën e shumës së studimeve që paguanin studentët e regjistruar në programet amë. Konkretisht, vitin e kaluar akademik nëse një student i fakultetit ekonomik në UKM i regjistruar në kotën e studimeve të rregullta shtetërore paguante 200 euro një semestër, për të njëjtat studime dhe të njëjtën kuotë studentë të programit të disperzuar pagunin nga 100 euro për një semestër. E njëjta formulë pagese vlente edhe për studentët e rregullt të kotave me vetëfinancim, të cilët paguanin nga 400 euro në Shkup dhe nga 200 euro në Veles, Prilep dhe Ohër.
Të dështuara në masë të madhe janë treguar edhe programet e disperzuara të Universitetit (Shtetëror) të Tetovës, Universitetiy “Klimenti i Ohrit” në Manastir dhe Universitetit “Goce Dellçev” në Shtip. Që vitin akademik 2013/2014, U(SH)T nuk ka hapur thuajse 70 për qind të studimeve të disperzuara, pasi ka qenë i pamundur sigurimi i kushteve dhe kuadrit mësimdhënës nga ana e universitetit për nevojat e studimeve jashtë Tetovës. Me shumë vështirësi kanë funksionuar edhe programet e UKO-së dhe UGD-së. Mirëpo, pavarësisht të gjithave, vendim i Qeverisë për ndërprerjen e programeve të disperzuara të UKM-së, është shoqëruar me reagimin e VMRO-së. Nga kjo parti, e cila është përgjegjëse kryesore e disperzimit të universiteteve publike, thonë se LSDM-ja ka ndërprerë studimet e disperzuara të një pjese të institucioneve të arsimit të lartë, pa bërë paraprakisht analizën e rezultateve të deritanishme dhe pa organizuar një debat publik para marrjes së vendimeve. Ndërkaq, duket se UKM ka vendosur të mirëpret me heshtje vendimin e MASH-it për ndërprerjen e programeve të disperzuara. Deri tani thuhet se numri i studentëve në të gjitha programet e disperzuara në tre universitete publike, UKM, U(SH)T dhe UGD, është 14606 studentë. Jehona e këtyre studimeve u zbeh jashtëzakonisht shumë në katër vitet e fundit. Kështu, për shembull, nga 441 vendet për programet e dispezruara të UKM-së, në vitin 2011/2013 u regjistruan vetëm 46 studentë, ndërsa vitin e kaluar (2016/2017) vetëm 18 studentë. Këto programe kanë pasur jehonë më të madhe në UGD dhe UKO, ku ka pasur raste kur brenda një viti janë regjistruar rreth 1000, përkatësisht rreth 600 studentë. Megjithatë, edhe në këto dy universitet ka trend të rënies së regjistrimit të studentëve në programet e diperzuara.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara