Qeveria britanike do të publikojë shumë shpejt informacione për UFO-t që kanë zbritur në Britaninë e Madhe, informata këto që janë mbajtur të fshehura për një kohë të gjatë. Kështu shkruan të paktën një portal gjerman, sipas të cilit sekreti i dosjeve do të publikohet për 50 vitet e kaluara dhe është mbledhur nga Ministria britanike e Mbrojtjes. Entuziastët do të mund t’i shfletojnë mbi 8000 faqe nëse dëshirojnë ta shuajnë kureshtjen. U tha fillimisht se këto dosje do të hapeshin në vitin 2013 e më pas ato u shtynë për në vitin 2015, por e tashmë pritet që në qershor të dalin në pah. Dokumentet, sipas portalit, përmbajnë biseda dhe letra të dëshmitarëve, vizatime, diskutime nga Parlamenti britanik dhe të dhëna nga Ministria e Mbrojtjes. Një prej rasteve interesante të dokumentuara është ai për “pushtimin e jashtëtokësorëve” në të cilin forcat ajrore britanike dhe ushtria ishin bërë gati t’i kundërpërgjigjeshin, por në fund e kuptuan se ishte vetëm një gënjeshtër e studentëve të inxhinierisë në vazhdën e radio dramës së Walles-it “War of Worlds” (Lufta e Botëve). Dokumenti tjetër dëshmon për qëndrimin e Ministrisë së Mbrojtjes për UFO-t i vitit 1993 në të cilin zyrtarisht thuhet: “Nuk e dimë çfarë janë ato objekte, por mendojmë se paraqesin kërcënim për sigurinë dhe jemi të pambrojtur nga ndonjë sulm i hapur i jashtëtokësorëve”. Dokumenti me titull “DEFE 24/2032 (p10-34)” është titulluar “Diskutimi i OKB-së për UFO-t” ndërsa përmban diskutimet e zhvilluara në seancën e Kombeve të Bashkuara në vitet 1978 dhe 1979, kur është refuzuar propozimi për të nisur një hetim i përbashkët për këto fenomene. Dokumentet tjera flasin se si ish-kryeministri britanik Winston Churchill dinte për ekzistimin e UFO-ve, por kishte frikë se mund të krijohej panik nëse fillon një diskutim publik për ekzistimin e fluturakeve të tilla të cilat lirshëm silleshin nëpër hapësirë, edhe pse nuk dihej se çfarë ishin ato dhe nëse paraqisnin rrezik për sigurinë. Gjithsesi, portali shkruan se nuk duhet të pritet shumë nga publikimi i këtyre dokumenteve, pasi ekzistenca e UFO-ve nuk provohet me fakte konkrete.