Omer XHAFERI
Shkup, 13 mars – Duke synuar rrugën e Perëndimit, përfundova në Kumanovë. Me këto fjalë të hënën para Trupi gjykues është rrëfyer i akuzuari Hajrush Abdija, qytetar i Gjakovës, ndryshe kushëri i të ndjerit Xhafer Zymberaj, për të cilin tha se e ka pasur djalë të tezes. Shkaktari kryesor për praninë e tij në “Lagjen e Trimave”, i akuzuari Abdija tha se ka qenë i ndjeri Zymberaj, i cili me datë 1 maj të vitit 2015, e ka ftuar duke i thënë se duhet të shkohet deri në pikën kufitare me Maqedoninë, respektivisht në pjesën e shtetit të Kosovës. Gjatë kësaj bisede të realizuar mes dy akusherive, Abdija tregoi se ia ka bërë të ditur Xhaferit se ai dëshiron të largohet drejtë shteteve të Evropës, prej ku ishte kthyer kohë më parë.
Lidhur me këtë çështje, Xhaferu i kishte premtuar se i njeh disa njerëz të cilët për pak para do ta trafikonin deri në shtetet e Perëndimit, megjithatë – paraprakisht duhet ta shoqërojë atë deri në kufi me Maqedoninë, ku duhet të takohemi me disa shqiptarë nga ky shtet, përfshi edhe funksionar të lartë politik. “Fillimisht e kundërshtova, por më pas u nisa me ata, paraprakisht u përshëndeta me të familjes dhe ju thash se do të shkoj në Gjermani. Me Xhaferin e morëm rrugën drejtë Prizrenit, që më pas të vazhdojmë për në Gjilan, ndërsa pas takimit me një grup personash të panjohur për mua, u nisëm drejtë territorit malor në këmbë”, tha i akuzuari Abdija. Rrugëtimin i tij drejtë Evropës, i cili për fat të keq, siç tha ai, ka përfunduar në Kumanovë, nuk e kishte menduar asnjëherë, nga vetë fakti se Maqedoninë nuk e kishte shkelur asnjëherë më parë. Përderisa ai së bashku me persona tjerë, të cilët kanë qenë një grup prej rreth 20 personash janë futur ilegalisht në Maqedoni, Abdija shpeshherë i kishte parashtruar pyetje kushëririt të tij, Xhaferit, se ku jemi duke shkuar, ndërsa ai me heshtje, pasi janë vendosur në disa shtëpi të braktisura, i ka treguar se nuk gjenden në pjesën kufitare brenda Kosovës. “Ne u ndamë në dy grupe dhe u vendosëm në dy shtëpi të braktisura. Ndërkohë unë, përpos kushëririt tim, nuk njihesha me asnjë anëtarë tjetër të atij grupi, dhe kështu vendosa të shkoj në vendin ku qëndronte Xhaferi. Pasi hyra në shtëpinë e tij, ai më tha të shtrihem për të fjetur, kurse mëngjesin e 2 majit, rreth orës 11:45, unë u befasova kur një helikopter fluturonte shumë afër katit të dytit të shtëpisë ku isha duke fjetur unë. Duke mos pasur ndonjë qëllim të keq, unë e hapa dritaren të shoh se çfarë po ndodh, ndërsa Xhaferi dhe Beg Rizaj, papritmas më tërhoqën prapa duke më thënë: A dëshiron që policia të të vras? Ndërsa unë ju përgjigja se nuk kam bërë asnjë krim që policia të gjuajë drejt mua”, deklaroi Abdija. Sidoqoftë, Abdija, të hënën para Këshilli penal theksoi se e kishte vërejtur se situata nuk është në rregull, me çka i kishte shtuar kërkesat për sqarimin e ngjarjes nga kushëriri i tij, i cili edhe më tej vazhdonte të heshte dhe në një rast, atij i kishte thënë që të zhvishet, duke i dhënë një pallto ushtarake që ta vesh, përfshi edhe një palë çizme. Duke i përshkruar detajet nga kjo ndodhi, Abdija theksoi se Xhaferi i kishte ofruar edhe armë, por ky si një person i cili pjesën dërmuese të jetës së tij e kishte kaluar në Evropë, kategorikisht e kishte refuzuar pranimin e armës. Në vazhdim të dhënies së dëshmisë, ai gjithashtu potencoi se pasi kishte arritur në qytetin e Kumanovës, ai e kishte kuptuar se ku gjendet, gjegjësisht “Lagjen e Trimave” kurrë më parë nuk e kishte ditur. “Më 3 maj jemi futur në Lagjen e Trimave. Para hyrjes në këtë lagje na ka pritur një person, por unë nuk e njihja se kush është. Kështu jemi vendosur në një shtëpi. Në dhomë ku kam qëndruar unë ka qenë Enver Hoxha Kllajn dhe kushëriri im, Xhaferi, të cilit nuk i pëlqente biseda jonë me Enverin, pasi flisnim në gjuhën gjermane dhe diskutonim për tema të lirë. Kjo mënyre e komunikimit mes neve dyve, ka ndikuar që Xhaferi Zymberi ta marrë inati Enverin dhe të dyshojë në të. Pas kësaj kam kërkuar nga Xhaferi që ta më gjejë një telefon, me të cilin do të kontaktoj familjen dhe t’i tregoj se ku jam, por pas shumë kërkesave dhe përpjekjeve, përfshirë edhe një konflikt verbal me tezakun tim, kam kërkuar nga që të më lë të lirë që të shkoj në shtëpi. Ai, përkundër vullnetit tim nuk më ka lejuar që ta braktisi “Lagjen e Trimave”, dukë më thënë se është tepër rrezik”, tha Abdija. Për përplasjet e tij me Zymberin, Abdija tha se kanë qenë dëshmitar edhe të anëtar tjerë të grupit. Ndërkaq, ai para Trupi gjykues e shpalosi një detaj, i cili brenda kësaj faze të gjykimit shumë shpesh është përmendur, e që kishte të bënë me kërkesat e Valdet Zekajt dhe Demë Shehut drejtuar Mirsad Ndrecajt, që ata duhet larguar nga aty, por ai ju kishte premtuar se nuk ka hapësirë për shqetësim dhe se për vendndodhjen e tyre janë të njoftuar shumë zyrtarë të lartë të shtetit. Procesi gjyqësor me prezantimin e dëshmive nga vetë të akuzuarit vazhdojnë më 15 mars, ndërsa radhën për të rrëfyer detajet për ngjarjet e majit të vitit 2015 e ka Betim Kabashi, shtetas i Kosovës, qytetar i Prizrenit.
Demiri: Në konferencë ishte paraparë të paraqiteshim vetëm si figura
Banori i Haraçinës, i akuzuari për ndodhitë në “Lagjen e Trimave”, Lirim Demiri, duke e rrëfyer bashkëngjitjen e tij me “Grupin e Kumanovës”, tha se këtyre personave u është bashkuar me ftesë të Sevdail Miftarit, me të cilin ka lidhje farefisnore. Thirrjen e parë dhe të vetme, Miftari drejtuar Demiriti ia ka bërë më 7 maj të vitit 2015, duke e ftuar që të shkon deri në fshatin Hotël të Kumanovës. “Sevdaili më tha dil në qendër të Haraçinës, se rreth orës 13:00 do të vjen një person për në Hotël, dhe do të merr edhe ty. Kështu që unë dola, hypa në veturë, me shoferin nuk njiheshim në herët dhe ai më dërgoi deri para derës së Kenan Isenit, për të cilin më vonë kam kuptuar se bëhet fjalë për shtëpinë e tij. Pasi arrita në Hotël, e pyeta Sevdailin se për çka bëhet fjalë? Më tha se duhet të prezantojmë në një konferencë të veshur me uniforma të UÇK-së, dhe nuk më dha detaje më të hollësishme”, tha Demiri gjatë prezantimit të dëshmisë së tij para Trupit gjykues ditën e hënë. Për ditën tragjike të 9 majit, Demiri u shpreh se nuk ka pasur armë dhe aq më pak ka kontribuar në përhapjen e konfliktit, por pasi e ka vërejtur se ka shumë të krisma, ka tentuar të strehohet deri në çastet e dorëzimit.
Policia fyen delegatin e Ambasadës së Kosovës
Para fillimit të dhënies së dëshmisë nga Hajrush Abdija, i njëjti shfrytëzoi rastin dhe e përshëndeti prezencën e opinionit në sallën gjykuese, përfshi përfaqësuesit e OSBE-së dhe ata të Ambasadës së Kosovës. Ndaj këtij qëndrimi, nga ulëset e fundit sallës së gjykatës, në mënyrë të vrazhdë reagoi njëri prej nëpunësve të policisë. “Da t’i ebam drzavata Kosovo”, ishin fjalët e policit, i cili me një zë jo të ulët, shau derisa Hajrush Abdija po përshëndeste përfaqësuesit e Ambasadës së Kosovës. Në ndërkohë, polici në fjalë, gjatë dhënies së dëshmisë nga Abidja, disa herë ngritke zërin duke thënë: “Deri më tani krimbat është dashur të të hanë”. Për sjelljet e ulëta dhe joprofesionale të policisë brenda sallës gjyqësore, gazetarët që e përcjellin këtë lëndë disa herë kanë raportuar deri më tani.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.