Laura PAPRANIKU
Shkup, 10 gusht – Të gjitha universitetet shtetërore në Maqedoni dhe një pjesë e mirë e universitete serioze private e kanë mirë të theksuar kriterin e regjistrimit të studentëve nga Turqia vetëm pasi të njëjtët të kenë siguruar leje paraprake nga shteti amë, shkruan gazeta KOHA. Kështu, në kategorinë e studentëve të huaj, në pjesën ku universitetet shënojnë kriteret për regjistrim, bie në sy veçimi i studentëve nga Turqia dhe për të cilët vlejnë rregulla të tjera regjistrimi – të ndryshme nga kriteret e regjistrimit të kandidatëve të shteteve tjera që mund të shprehin dëshirë të regjistrohen në ndonjërin prej universiteteve të Maqedonisë. Konkretisht shteti turk, përmes seleksionimit vendos vetë se kush do të studiojnë jashtë shtetit, pra edhe në Maqedoni. Një gjë e tillë, nënvizohet në konkurset për regjistrim të studentëve të rinj në vitin akademik 2017/2018, në pesë universitete publike të Maqedonisë. “Kandidatët shtetas të Republikës së Turqisë do të mund të regjistrohen vetëm sipas kritereve të miratuara nga ana e Këshillit për Arsim të Lartë të Republikës së Turqisë -YOK, të cilët duhet të dorëzojnë dëshmi për dhënien e provimit pranues të organizuar nga YGS”, thuhet mes tjerash në ato konkurse, ndërsa në vijim të kritereve të caktuara barazohen me gjithë kategorinë e mbetur të studentëve të huaj. Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, thonë se rregullat e veçanta për studentët nga Turqia janë vendosur me kërkesë të autoriteteve turke. “Është një kriter i vendosur nga vetë Turqia, për nevojat e brendshme të saj dhe kuptohet që universitet tona e kanë parë vetë të udhës që ta respektojnë atë kriter”, thotë për KOHA, Agim Rushti, udhëheqës i Sektorit për arsim të lartë në MASH. Sipas tij, MASH dhe Qeveria nuk ndikojnë në përcaktimin e kritereve për regjistrim nëpër universitete, por janë këta të fundit që caktojnë kriteret në harmoni me kërkesa të veçanta. Në rastin konkret, pra këtë të regjistrimit të studentëve që vijnë nga Turqia pasi t’i kenë dhënë provimet pranuese në Turqi, Rushiti vlerëson se universitet e Maqedonisë e kanë shënuar si kriter që ata studentë të mos përballen me problemin e njohjes së diplomave. “Ata studentët edhe mund të regjistrojnë studimet dhe të diplomojnë tek neve pa dorëzuar vërtetimin e organeve turke. Mirëpo, diploma e tyre nuk do të njihet nga shteti turk. Prandaj, universitetet e Maqedonisë kanë bërë shumë mirë që e kanë inkorporuar kriteret e YOK-ut në konkursin për regjistrimin e studentëve”, shprehet Rushiti. Arsyeja që shteti turk ka vënë kritere dhe standarde që duhet të përmbushen nga shtetasit e tyre edhe kur dëshirojnë të studiojnë jashtë Turqisë, ka të bëjë ekskluzivisht me politikat arsimore të atij shteti, plotëson ai.
Sikurse dihet, kuotat për regjistrimin e studentëve atje janë shumëfish me të ulëta se kuotat e regjistrimit në shtete tjetra të rajonit (në përpjesëtim me numrin e popullsisë së shteteve veç e veç) Kjo është edhe arsyeja përse dekadën e fundit në shtete si Maqedonia ka pasur vërshim studentësh nga Turqia. Këta të fundit përfitonin edhe nga marrëveshja bilaterale për ekuavalentimin e diplomave të lëshuara nga institucionet arsimore të dy vendeve, duke iu pranuar me automatizëm diplomat që kishin marrë në Maqedoni ose duke u transferuar në ndonjërin prej universiteteve të Turqisë vitin e fundit të studimeve. Në të njëjtën kohë, duke pasur parasysh shkallën e lehtësisë së diplomimit në Maqedoni, studentët e ardhur nga Turqia nisën të bëhen problem edhe për vetë Turqinë. Prandaj, për të parandaluar invazionin e diplomave nga Maqedonia dhe shtete të tjera të rajonit, Turqia vendosi kritere dhe provim pranues për gjithë ata që dëshirojë të studiojnë jashtë shtetit.
Respektimin e atyre rregullave e gjemë jo vetëm në universitete publike të Maqedonisë, por edhe në universitet private, madje edhe për programe studimore në gjuhën turke sikurse është rasti me Universitetin e Evropës Juglindore. “Kandidatët që dëshirojnë të studiojnë në programin në gjuhë turke që vijnë nga Republika e Turqisë duhet të kenë minimum 300 pikë nga provimi i maturës shtetërore, si kusht për t’u regjistruar. Gjithashtu, kandidatët duhet të kenë kaluar provimin pranues për t’u regjistruar në një institucion të arsimit të lartë të organizuar nga YGS dhe provimin për studimet deri-diplomike, i cili administrohet nga Qendra për përzgjedhjen dhe rangimin e studentëve – ÖCYM, Republika e Turqisë. Përveç kësaj, në bazë të vendimit të Këshillit të Arsimit të Lartë të Republikës së Turqisë – YÖK, për të studiuar në fushën e studimeve juridike kandidatët duhet të jenë të ranguar në 150.000 vendet e para”, qëndron në Konkursin për regjistrimin e studentëve për vitin akademik 2017/2018 në UEJL.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.