Çdo përplasje ndërmjet vëllezërve konsiderohet akt turpërimi, shkruan sot gazeta Zëri, transmeton gazeta KOHA. Kështu mund të konsiderohet edhe një ekses që ka ndodhur të shtunën në miqësoren e basketbollit ndërmjet Shqipërisë e Kosovës, e cila gati përfundoi në mënyrë “armiqësore”.
Në fakt, Federata Shqiptare e Basketbollit (FSHB) i ka organizuar në fundjavë dy ndeshje miqësore me Kosovën, por përballja e parë, pra ajo e së shtunës, ka prodhuar skandal të madh. Akterë të skandalit kanë qenë amerikani i natyralizuar i Shqipërisë, Mike Moser, dhe reprezentuesi i Kosovës, Dardan Berisha. Mediet në Tiranë krejt fajin ia kanë hedhur Berishës, kurse Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) e ka shfajësuar lojtarin më të mirë kosovar, duke fajësuar gjyqtarin për prodhim të krejt eksesit.
“FSHB-ja na ka ftuar për këto dy ndeshje. Organizimi është relativisht i mirë, pritja është shumë e mirë, raportet e lojtarëve janë të mira sepse shumica e basketbollistëve të Shqipërisë kanë luajtur në Kosovë, pra gjithçka është në suaza të normales”, ka deklaruar për “Zërin” anëtari i Bordit të FBK-së Leart Hoxha, i cili sqaron krejt situatën që ka ndodhur në mes Berishës dhe Moserit, i cili para pak kohësh pati luajtur për Sigal Prishtinën dhe tani mbron ngjyrat kuqezi.
“Ajo çfarë thonë mediet e Shqipërisë për Berishën nuk qëndron dhe për këtë ne kemi fakte, pra incizim. E vërteta është se Mike Moser e ka goditur Berishën. Pasi goditet, Berisha e shtyn Moserin. Dhe gjyqtari nuk e sheh apo nuk vepron në rastin e parë kur goditet Berisha, por e përjashton nga loja Berishën pasi është goditur dhe shtyn Moserin. Kjo ka ndodhur një minutë para përfundimit të pjesës së parë. Pastaj, çfarë ka ndodhur te dhomat e zhveshjes nuk e kam parë sepse nuk kam qenë aty”, shpjegon Hoxha.
“Pra, krejt kjo ka ardhur si pasojë e gjyqtarit, lëshimit të tij”, theksoi ai.
Ndërkohë, edhe në raportin e ndeshjes FBK-ja ka raportuar për incidentin duke fajësuar gjyqtarin Kasemi. “Çereku i dytë u përshkua me lojë të tensionuar dhe pas një incidenti midis Mike Moserit dhe Dardan Berishës gjyqtarët përjashtuan Dardan Berishën nga ndeshja. Vendimi i gjyqtarëve, edhe pse ishte i gabuar, u respektua nga ekipi ynë”, thuhet në uebfaqen e FBK-së.
Versioni i Tiranës
Version krejt ndryshe prej FBK-së kanë dhënë mediet në Tiranë, të cilat incidentin në miqësoren e fituar nga Kosova kundër Shqipërisë e kanë konsideruar turpërues dhe krejt fajin ia kanë hedhur Dardan Berishës. Sipas tyre, Berisha e ka goditur Mike Moserin në lojë pa top, me ç’rast është përjashtuar nga loja. Sipas medieve të Tiranës, ky vendim i gjyqtarëve e ka nxjerrë nga kontrolli Berishën, i cili lëre që ka përdorur fjalor të tepruar fyes, por edhe ka shkatërruar stole dhe çfarëdo që i dilte përpara.
Duke i parë veprimet e Berishës, thuhet se gjyqtari ka kërkuar ndërhyrjen e rojave të sigurisë për ta nxjerrë jashtë lojtarin e Sigal Prishtinës. Zyrtarë të FSHB-së janë munduar ta qetësojnë situatën dhe të mos e lejojnë futjen e sigurimit për ta nxjerrë Berishën jashtë, por gjyqtari nuk ka hequr dorë nga kërkesa e tij. Në këtë mënyrë trupat e sigurisë e kanë shoqëruar Berishën drejt dhomave të zhveshjes, ku po ashtu i ka përplasur dyert nga nervozizmi i tepruar. Pas një minute ka përfunduar pjesa e parë dhe drejt dhomave të zhveshjes kanë shkuar të dyja palët, ku për pak nuk kanë shkaktuar përleshje masive, theksojnë mediet shqiptare. Ndërkohë, FSHB-ja ka bërë përpjekje për qetësim të situatës dhe ka urdhëruar sigurimin që t’i largojë gradualisht shikuesit nga palestra për ta shmangur ndonjë situatë akoma më të rëndë.