Tryezë e rrumbullakët me temë “Çka paraqet varfëria energjetike – përkufizimi dhe rekomandime për ulje të saj” do të mbahet sot në Shkup në kuadër të projektit “Ulje e harxhimit të energjisë dhe ndryshim të shprehive” i financuar nga programi Energji Inteligjente Evropë – Intelligent Energy Europe (IEE).
Tryeza e rrumbullakët parashikon prezantim të rezultateve nga projekti “Ulje e harxhimit të energjisë dhe ndryshim të shprehive” para opinionit më të gjërë. Qëllimi është që të nxitet diskutim për definim të varfërisë energjetike në vend edhe përmes formimit të platformës së përbashkët që të krijojë rekomandime për ulje të saj.
Projektin e realizon Shoqata MACEF – Qendra për efikasitet energjetik të Maqedonisë (MACEF).
MACEF në bashkëpunim me QSHET “Mihajlo Pupin” dhe Organizata komunale e Kryqit të Kuq Gazi Babë në vitin 2016, ndërsa në kuadër të projektit, realizoi anketim, analizë dhe ndarje të pajisjeve për shfrytëzim racional të energjisë (në vlerë prej 30 eurosh për amvisëri) 400 amvisërive të varfra energjetike në rajonin e Qytetit të Shkupit.
Sipas analizave të bëra është ardhur në konkluzion se kursimet potenciale të energjisë gjatë shfrytëzimit të pajisjeve për shfrytëzim të energjisë në këto amvisëri janë në nivel të ulët prej 3-5 për qind të energjisë elektrike dhe 5-7 për qind energji ngrohëse, që do të thotë se ekziston mundësi reale për ulje të harxhimit të energjisë me qasjen e këtillë. Këtyre amvisërive, njëherit u janë ndarë edhe doracakë për shfrytëzim efikas të energjisë me qëllim të ndryshimit gradual të shprehive ndaj harxhimit racional të energjisë.
Realizimi i projektit duhet dhe pritet ta ngrejë vetëdijen tek opinioni për varfërinë energjetike të vendit, por edhe të kontribuojë që të ndërmerren aktivitete plotësuese për uljen e saj.