Zejnulla VESELI
Shkup, 23 mars – Në markete shpesh mund të gjendet vaj luledielli me shënimin “pa kolesterol”, ndërsa se vaji i lulediellit është me origjinë bimore që gjithashtu nuk përmban kolesterol, shkruan gazeta KOHA. Në disa produkte shënohen të dhënat, si “përmban aditiv të lejuara”, por nuk shënohen aditivët e përfshirë në produktin e caktuar. Gjithashtu, lëngjet deklarohen si lëngje frutash, por përmbajtja shtesë e frutave tregon se nuk përmbajnë fruta të mjaftueshme që të quhen lëngje frutash.
Prodhuesit vendor të ushqimit dhe ato të huaj shërbehen me mashtrime dhe shfaqin karakteristika të rreme të produkteve të tyre për t’i habitur konsumatorët dhe në këtë mënyrë synojnë ta rrisin fitimin. Kështu, më shpesh mund të gjendet mjaltë natyral, ku në pjesën e poshtme shkruan se bëhet fjalë për prodhim të mjaltit, pastaj koncentrati i dobësuar shitet si lëng frutash edhe pse nuk përmbanë fruta të mjaftueshme për t’u kualifikuar si i tillë. Nëpër marketet shpesh mund të gjenden produkte bimore në raftet e njejta ku gjenden produktet e qumështit, edhe pse bëhet fjalë për ushqime krejtësisht të ndryshme. Njëkohësisht nëse konsumatorët duan të lexojnë se çka shkruan në paketim, atyre ju nevojitet thjerrëz për zmadhim të shkronjave. Duke pasur parasysh se prodhues të caktuar nga emrat e produkteve dhe fotografitë gabimisht i përfshijnë qytetarët, të cilët më shpesh i tërheqin çmimet më të lira të këtyre produkteve, në këtë mënyrë kontribuojnë në destabilizimin e tregut dhe për rritjen e konkurrencës jolojale. Nga Agjencioni për Ushqim dhe Veterinari (AUV) thonë se truqet e këtilla janë ta paligjshme, ndërsa pohojnë se ka raste kur emërtimet e prodhimeve i habisin edhe qytetarët. “Shkruan se produkti mund të shërojë të sëmurin apo ta përmirsojë gjendjen e tij, për nga ana tjetër nuk ka dëshmi shkencore për performanca të këtilla.
ETIKETAT NUK DUHEN TË JENË MASHTRUESE
Gjithashtu ruhet kajmak, kaçkaval, djathë, gjizë me origjinë bimore në të njëjtin raft me produkte të njëjta me origjine shtazore”, thonë nga AUV. Ata shtojnë se shfrytëzimi i kërkesave ushqyese dhe shëndetësore nga operatorët e ushqimit nuk është e detyrueshme, por në qoftë se ata duan të nxjerrin në pah disa karakteristika të produktit, atëherë domosdoshmërisht duhet respektojnë rregullat dhe kërkesat, respektivisht etiketat nuk duhen të jenë mashtruese, të paqarta, e as të shkaktojnë dyshime në lidhje me sigurinë apo vlerën ushqyese të produkteve. Ata thonë se në përputhje me Ligjin për sigurinë e ushqimit, ndalohet të theksohen vetitë specifike të ushqimit, të cila janë të ngjashme me ushqim tjetër me cilësi të njejtë, si dhe përdorimi i fotografive, vizatimeve dhe tekst i cili mund t’i habis konsumatorët sa i përket identitetit të produktit, origjinës, përbërjes, qëllimit dhe efektet e produktit.
“Për shembull, vaj luledielli me të dhënat në etiketimin “pa kolesterol”, ndërsa vaj luledielli ka origjinë bimore, dhe gjithsesi, nuk përmban kolesterol. Pastaj, në disa produkte ka të dhëna: “përmban aditivë të lejuara”, por nuk janë theksuar aditivët e përfshirë në produkt. Gjithashtu, qytetarët janë të mashtruar edhe me lëngjet e frutave, ku produkti është deklaruar si lëng frutash, por përmbajtja shtesë e frutave tregon se nuk përmbajnë fruta të mjaftueshme që të jetë lëng frutash”, thonë nga AUV. Sipas tyre, produktet e qumshtit, duke përfshirë djathin dhe kaçkavalin, janë produkte të fituara nga qumështi i papërpunuar dhe nëse nga procesi teknologjik i prodhimit janë definuar përbërësit tjerë, atëherë ai produkt është jashtë definicionit për djathë. “Në aspektin e shitjes së produkteve të cilat përmbajnë yndyrna bimore dhe vajra, ata përveç asaj që patjetër duhet të jenë të shënuara në deklaratë për të eliminuar mundësinë për t’i mashtruar konsumatorët se blejnë produkte qumshti, duhet domosdoshmërisht të shiten veç e veç nga produketet e qumështit, në tjetër raft të veçantë”, theksojnë nga AUV. Kompetentët nga AUV theksojnë se kryejnë mbikëqyrje të vazhdueshme mbi operatorët e ushqimit në drejtim të plotësimit të kushteve të përgjithshme dhe të veçanta për siguri në ushqim dhe për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, të cilët përfshijnë edhe përmbushjen e detyrave për etiketimin e përshtatshëm të ushqimit të lëshuar në treg.
“Etiketimi duhet të jetë i qartë, i saktë dhe për mos t’u mashtruar konsumatorët nga operatorët e ushqimit, gjegjësisht nga prodhuesi, ndërsa për të dhënat e deklaratës për produkte të importuara përgjegjës është importuesi. Detyrë për operatorët e ushqimit është që para shërbimeve të inspektimit dhe konsumatorëve të garantojnë se kanë lëshuar në treg produkte të sigurta dhe produkte të etiketuara. Me sjelljen e Ligjit të ri për siguri të ushqimit në vitin 2015, Agjencioni për ushqim dhe veterinari bëri ndryshime në kornizën ligjore në lidhje me etiketimin e ushqimit. Ligji për siguri të ushqimit u plotësua me më shumë dispozita për etiketimin e produkteve me të cilët zbatohet legjislacioni i ri i BE-së për informim të konsumatorëve për produktet ushqimore, e cila në Bashkimin Evropian filloi të zbatohet që nga 13 dhjetori i vitit 2014”, sqarojnë nga AUV, përcjell KOHA. Siç thonë ata, agjencioni kryen mbikqyrje të vazhdueshme mbi operatorët e ushqimit në drejtim të plotësimit të kushteve të përgjithshme dhe të veçanta të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve.
RRETH 45 MIJË KONTROLLE VITIN E KALUAR
“Inspektorët kryejnë kontrolle të vazhdueshme të tregut dhe nëse konstatohen mospërputhje në lidhje me etiketimin, operatorët e ushqimit urdhërohen në afatin e caktuar të njëjtat t’i tërheqin. Nëse nuk veprohet sipas kësaj, produktet tërhiqen nga tregu. Në vitin 2016, nga inspektorët e ushqimit dhe veterinarisë janë kryer gjithsej 44.939 kontrolle”, thonë nga AUV. Ata theksojnë se deri te derpartamenti për mbrojtjen e konsumatorëve pran AUV nga ana e qytetarëve vitin e kaluar janë dorëzuar 316 ankesa. “Nga ato, 144 ankesa janë konfirmuar. Shumica e ankesave, 190 apo 60 për qind nga gjithsej ankesat e dorëzuara, kanë të bëjnë me ushqimin me origjinë shtazore, kurse 90 apo 29 për qind nga numri i përgjithshëm i ankesave të dorëzuara kanë të bëjnë me çështjet e kujdesit shëndetësor dhe mirëqenien e kafshëve. “Si institucioni përgjegjës për sigurinë e ushqimit i inkurajojmë qytetarët që çdo mospërputhje për sa i përket sigurisë së ushqimit ta paraqesin në agjencinë tonë”, shtojnë nga AUV. Nga Organizata e konsumatorëve në Maqedoni(OKM) vërtetojnë se ka produkte te të cilat fotografia e mashtron konsumatorin. Për disa prej tyre, thonë ata, tani më kanë reaguar, por të gjithë nuk e kanë ndryshuar paketimin. Megjithatë, ata i motivojnë qytetarët t’i paraqesin produktet e këtilla. Marijana Lonçar-Vellkova, kryetare e Organizatës së konsumatorëve të Maqedonisë, thotë se nuk guxon fotografia e produktit të theksojë se bëhet fjalë për diçka krejtësisht ndryshe. Qytetarët blejnë sipas përshtypjes vizuale dhe shumë vendosin sipas fotografisë, dhe për këtë arsye ajo duhet të jetë objektive.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara